Si e sheh PS-në, spiunët, LSI-në dhe Berishën

Namik Dokle, një nga figurat më të rëndësishme në PS, flet në një intervistë për “Korrierin” për të gjitha çështjet kryesore politike të ditës. Ai shpreh besimin në një fitore të PS-së në vitin 2009, ndërsa vlerëson se ndryshe nga herët e tjera, socialistët po punojnë në mënyrë të pandërprerë, për të pasur një program, një ekip dhe një lider. Falë politikës së re, që sipas Dokles nuk i ngjan as sot në opozitë e as do t’i ngjajë qeverisjes së Berishës, suksesi është mëse i mundshëm. “Nëse ne do të vazhdonim ta drejtonim PS-në si në vitet 90-të apo si në fillim të viteve 2000, do të ishte shumë e gabuar. Me Edi Ramën ne bëmë një zgjidhje shumë racionale dhe shumë të mirë, besoj edhe optimiste”, - thotë ai. Dokle i quan të mbyllur kapitullin se kush do të jetë kryeministri i opozitës së sotme kur ajo të vijë në opozitë, duke cituar statutin e PS-së, sipas të cilit, kryetari i saj mandatohet për kryeministër. “Mendësi e vjetër; kur s’të shkojnë punët mirë, shpik një komplot apo një tradhti”, - kështu shprehet ai lidhur me akuzat për tradhti nga ana e LSI-së për kryesocialistin Rama. Qëndrime e disa partive të majta lidhur me reformën zgjedhore, ai i cilëson si irracionale, reminishenca të marrëveshjeve të kaluara që sakrifikonin qëllimet e mëdha për pazare të vogla. “Unë mendoj se qëndrimet që po mbajnë disa parti të majta janë irracionale, reminishenca të “marrëveshjeve” të kaluara, të cilat sakrifikonin qëllimet e mëdha për pazare të vogla”. Ndërkaq, ai mendon se në PD ka filluar lufta për periudhën “post-Berisha”, referuar përplasjeve për dekretet e presidentit, për anëtarët e Gjykatës së Lartë, por edhe ligjit të spiunëve.
-Presidenti ka dekretuar emrat e rinj për Gjykatën e Lartë. A do t’i mbështesë PS-ja këto emra?
Namik Dokle: “Në këtë proces ne nuk jemi nisur asnjëherë nga emrat, por nga dëshira e mirë që të zbatohen rregullat dhe procedurat e përcaktuara. Dua të theksoj, që në rastin e parë këto rregulla nuk u zbatuan aspak nga mazhoranca dhe u shkelën të gjithë afatet e përcaktuar në rregulloren e Kuvendit. Me ndryshimet që i janë bërë rregullores, këto afate vërtet janë zgjeruar si nevojë e një dëshire për t’i parë gjërat më konkretisht e në mënyrë më të qartë, por në asnjë rast nuk ka të drejtë askush të prekë rregullat e përcaktuara. Nëse ato janë bërë keq, duhen ndryshuar, por nuk mund të shkelen, sepse do të kultivonim një kulturë të dëmshme në procedurat e institucioneve. Në rastin konkret, ne do t’i shikojmë propozimet e dekretuara mbi bazën e të gjithë rregullave institucionale. Pastaj vota natyrisht do të mbështetet mbi zbatimin e kritereve që u dërguan nga forcat politike në Presidencë dhe, siç dihet, presidenti me grupin e punës që ngriti për këtë çështje mori parasysh katër sugjerime të PS-së dhe një të PD-së. Në këto kritere është e respektuar natyrisht edhe vota jonë, e cila do të jetë bazuar mbi këtë gjë”.
-Qëndrim i mëparshëm i PD-së u komentua si një qëndrim që s’kishte të bënte me kriteret, por ishte politik. A do të ishte e logjikshme një rrëzim i dytë i kandidaturave?
“Se çfarë do të bëjë Berisha, është e vështirë të parashikohet, mbase do të mund ta bënte Frojdi, por është një fakt i qartë për opinionin publik, që në rastin e parë Berisha veproi në mënyrë hakmarrëse qoftë ndaj vetë presidentit, qoftë ndaj disa prej figurave që u paraqitën në dekretet e tij. Mesa duket, nën rrogoz ka ujëra të cilat herë lagin njërin, herë tjetrin. Hakmarrjen e mazhorancës ndaj presidentit Topi po paraqes në një shembull. Po marr vetëm një emër: Kristaq Trajën. Ka qenë një nga juristët më të mirë të Shqipërisë, ka qenë zëvendësministër i Drejtësisë, ka qenë ekspert në hartimin e Kushtetutës e për këto merita u zgjodh nga Asambleja Parlamentare e KE-së, si gjyqtar i Gjykatës Evropiane i të drejtave të njeriut. Nuk e di se çfarë meritash të tjera mund të kërkonin Berisha apo Topalli? Dihet qartë që nuk e ka pasur hallin te kriteret, as tek çështja e meritës, por u hodhën poshtë politikisht, për t’i thënë Topit që “ne bëjmë atë që kemi ndërmend të bëjmë dhe nuk të pyesim ty”. Është një çështje e brendshme e PD-së. Mesa duket, sot në PD kanë filluar të mendojnë për “post-Berishën”. Grupe të ndryshme brenda PD-së kanë filluar të bëjnë hesapet se çfarë do të ndodhë pas Berishës. Prandaj më së shumti janë shquar në këtë luftë nënkryetarja me ish-nënkryetarin e PD-së. E mira do të ishte që këta dy “elefantë” të PD-së të ndesheshin në magazinën e qelqurinave të partisë së tyre dhe jo në kopshtet e Shqipërisë”.
-Ka pasur shumë kritika ndaj zonjës Topalli në Kuvend. Do të ishte normale ripërsëritja e mocionit ndaj saj?
“Nuk mendoj se duhet të humbasim kohë me mocionet ndaj zonjës Topalli, sepse ajo tashmë e ka konsumuar gjithë potencialin politik në krye të parlamentit. Fatkeqësia e saj është se përpiqet që gjithë arrogancën e qeverisë t’ia imponojë parlamentit; parlamentit në tërësi dhe jo vetëm opozitës. Misioni i një kryetari parlamenti merr fund kur vjen dita që ai rri “sus” përpara kryeministrit apo edhe ndonjë tjetri. Dhe ku institucionet drejtohen me paaftësi dhe me arrogancë, këtu është fun