E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reformat të bllokuara, parlamenti i dhunuar

Kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, i kërkoi kryeministrit të sqarojë akuzat dhe kritikat që i janë bërë nga opozita dhe raportet ndërkombëtarë për qeverisjen e tij. Leskaj thotë se opozita nuk do të pranojë të bëhet koperturë as në sallën e parlamentit dhe as jashtë tij

Valentina Leskaj e akuzoi dje kryeministrin Sali Berisha për mungesë serioziteti dhe bllokimin e reformave integruese. Në emër të partisë më të madhe opozitare, ajo i kërkoi shefit të mazhorancës bashkëpunim për reformat. “Dua t’ju them dhe një gjë, z. kryeministër! Nëse keni qenë të sinqertë ju dhe ministri i Jashtëm dje (pardje) në Bruksel, kur u angazhuat për të bërë reforma, reformat nuk mund të bëhen vetëm, nëse keni menduar që t’i bëni vetëm. Vazhdoni t’i bëni, por po ju them për herë të fundit, që kjo opozitë nuk do të pranojë të bëhet koperturë as në sallën e parlamentit dhe as jashtë tij, për sa kohë që ju dhunoni fjalën e lirë, për sa kohë që ju shpërfillni kërkesat e opozitës”, - deklaroi kryetarja e grupit parlamentar të PS-së. Valentina Leskaj i kërkoi kryeministrit të reflektojë, që reformat të bëhen bashkë me opozitën, e cila duhet të ketë hapësirën e saj në parlament. Ajo kërkoi përgjigje nga shefi i mazhorancës për të gjitha akuzat që janë ngritur ndaj tij dhe familjes së tij, akuza që u artikuluan edhe në seancën e djeshme, përpara mbërritjes së tij në sallë. Madje, këtë ardhje të papritur, Leskaj e argumentoi pikërisht me akuzat e jo me dëshirën për të folur për NATO-n, ndërsa shtoi se ndryshe nga vendet anëtare të NATO-s, në Shqipëri, falë mazhorancës, gjërat janë ndryshe. “Zoti kryeministër, nuk e di se sa seriozë jeni ju me NATO-n, për sa kohë që unë them se reformat janë bllokuara, për sa kohë që në prezencën tuaj parlamenti është i dhunuar. Zoti kryeministër, ju keni qenë në sallë, kur deputetëve të opozitës nuk iu është dhënë drejta e fjalës dhe nuk e di nëse ka ndonjë vend tjetër anëtar i NATO-s, ku deputetët e opozitës minimalisht nuk kanë të drejtën e fjalës. Unë nuk e di nëse ka ndonjë vend tjetër të NATO-s, ku parlamenti nuk moderohet, por sundohet në prezencën dhe me vetëdijen tuaj”, - u shpreh ajo. Liderja e socialistëve në Kuvend i kërkoi shefit të ekzekutivit t’iu përgjigjej deputetëve për të gjitha pyetjet dhe akuzat që u bënë në sallë. Siç tha ajo, kjo është fryma dhe kontributi më i madh që mund t’i bënte NATO-s një kryeministër serioz, i një vendi serioz, që nuk abuzon me shanset që krijohen për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. “Zoti kryeministër, sot janë ngritur akuza shumë të rënda, dhe jo vetëm sot, por ka kohë që janë ngritur akuza që nuk vijnë vetëm nga opozita, por vijnë nga raportet ndërkombëtare, për krimin e organizuar, për korrupsionin që ju përfshin edhe juve personalisht, dhe do të ishte në nderin tuaj sot, që të kishit dhënë një përgjigje për këtë. Zoti kryeministër, ne nuk jemi këtu për të mbrojtur veten dhe fëmijët tanë, ne jemi këtu, që t’iu ofrojmë shanset shqiptarëve, të mbrojmë interesat e publikut”, - deklaroi Leskaj. Në krahun tjetër, numri një i socialistëve në Kuvend i kujtoi kryeministrit, se për të ka tetë kërkesa për interpelanca, ndërsa ai vazhdon t’i refuzojë. Kryetarja e grupit parlamentar të partisë më të madhe opozitare i kujtoi shefit të ekzekutivit, se minatorët kanë nisur një grevë urie, por ende kërkesat e tyre nuk po marrin një përgjigje, madje në kalendarin e Kuvendit dje ka qenë e përcaktuar për t’u shqyrtuar projektligji për minatorët, i propozuar nga socialistët. Projektligji sipas Leskajt, është hequr nga kalendari pa asnjë arsye. Ndërsa i kërkoi reflektim kryeministrit Sali Berisha, ajo shprehu gatishmërinë e opozitës për të kontribuar për integrimin në NATO. saqellari@korrieri.com

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›