Si më akuzoi Petrit Dume se do vrisja Enverin në Paris

Myftar Tare duke rrëfyer për Panorama (Foto Vlasov Sula)
Myftar Tare: Si më ndaluan pas arrestimit të Koçi Xoxes.
Misteret e panjohura të eliminimit të Koçi Xoxes
…vijon nga numri i kaluar
Miqësia me Enverin dhe Koçi Xoxen ishte privilegj jo i vogël, por edhe risk i madh. Të jepte dorë për tu ngjitur në majë, por të fuste edhe shtatë pashë nën dhe. I ka qëlluar Myftar Tares, ish-numrit dy të Ministrisë së Brendshme i një prej periudhave më të vështira, ti provojë të dyja: shkëlqimin me bekimin e Hoxhës e Xoxes dhe rrënimin e menjëhershëm nga përplasja e tyre. Megjithatë, shton njeriu që ka ndarë përgjegjësi të përbashkëta me dy liderët historikë të regjimit komunist, deshi Zoti e shpëtova falë një rrethane fatlume. Deri te zbardhja e këtij momenti, Tare sjell një mori ngjarjesh të panjohura nga reagimi i shtetit komunist në fillimet e veta, duke përmendur çaste interesante dhe emra personalitetesh që kanë lënë gjurmë në historinë e vendit. Në përmbyllje të dëshmive për hetimet e para të zyrtarëve shqiptarë për gjenocidin në Çamëri, për regjistrimin e popullsisë në vitin 1945 dhe përplasjet e delegacionit shqiptar me atë grek në Konferencën e Paqes në Paris, Tare rezervon historinë e veçantë të dramës personale, produktet i rrethanave të miqësisë dhe urrejtjes së dy shokëve të tij të hershëm. I prangosur fill pas arrestimit të Koçi Xoxes, ish-zyrtari i lartë i Sigurimit të Shtetit kujton se është kryqëzuar me lloj-lloj akuzash, madje deri tek ajo se do të vriste Enverin. Po si ndodhi që u vu në sy të ciklonit, kush e denoncoi për atentatin ndaj ish-kreut të Partisë dhe si mundi të shpëtojë funksionari i lartë i shërbimit sekret…?
Zoti Myftar, kur jeni njohur me Enver Hoxhën dhe çfarë kujtoni nga takimi i parë me të?
Për herë të parë me Enver Hoxhën jam takuar më 26 prill të vitit 1943 në fshatin Kuçak të Oparit. Për shkak të angazhimeve politike, kisha dëgjuar më herët për pozicionin e tij në krye të Partisë. Ishin ditë lufte dhe ai vinte aty nga Vlora. Për vizitën e veçantë ishim lajmëruar një ditë më parë, por nuk dinim gjë për problemet që do të konsumonte. Prania e tij veshur me kostum ushtarak dhe një çantë angleze krahaqafë, i jepte një pamje autoritare që bëhej më evidente gjatë bisedës. Na pyeti fillimisht për situatën luftarake, për moralin e forcave partizane, për shtrirjen e lëvizjes në zonë. I raportuam me detaje për çdo gjë, ndërkohë që ngritëm edhe ndonjë kërkesë për nevojat e ngutshme që kishim. Për disa çaste biseduam shtruar për ballafaqimet luftarake, për problemet e partisë në strukturat e lëvizjes, për bazën logjistike etj. Një moment, Enveri iu kthye kujtimeve nga periudha kur kishte qenë në Liceun e Korçës. Aty për aty u interesua për emra të veçantë të ish-mësuesve dhe nxënësve liceistë dhe përfshirjen e tyre në frontin e Luftës Antifashiste. Me shumë syresh, njihesha nga afër dhe i tregova çfarë dija për çdonjërin. Enveri dëgjonte me vëmendje dhe hera-herës pyeste për të saktësuar detaje të veçanta. Në bisedë e sipër konstatova se ai njihej mirë me aktivitetin tim. Madje, mënyra si më drejtohej dhe konsideratat që shprehte, të linin të kuptoje se bashkë njiheshim prej kohësh…
Mbani mend ndonjë detaj të veçantë nga biseda e asaj dite?

Enver Hoxha në Konferencën e Paqes
Një çast teksa rrinim uluar, Enveri hapi çantën dhe nxori prej aty një dysinë dokumentesh. Janë informacionet e qarkorit tuaj, shpjegoi duke i hapur një nga një. Veç saktësisë së përmbajtjes, shtoi, më bën përshtypje kaligrafia e shkëlqyer e shkrimit. Ishte ky momenti ku Enveri shprehu konsideratën për bukurinë e shkrimit tim. Ajo që ai e quante kaligrafi e përsosur, dorë stamp, me të cilën kisha artikuluar me dhjetëra raporte për drejtuesit e lartë, do të shërbente si një lloj diplome për pozicionet e mëvonshme në forumet e Partisë. I fiksuar pas kësaj, Enveri më kërkoi disa herë për dokumentimin e aktiviteteve të ndryshme. Në Kongresin e Përmetit (maj 1944), me ndërhyrjen e tij, bashkë me Gogo Nushin bëmë regjistrimin e delegatëve dhe dokumentimin e diskutimeve. Një kopje të atij dokumenti e ruaj edhe sot. Në pushimet midis seancave, Enveri vinte në sekretari dhe interesohej për mënyrën si operonim me dokumentat e Kongresit. E kishte merak deri në mani çështjen e shkrimit. Nuk besoj, më thoshte ato ditë, ti gjesh në botë shoqe kësaj kaligrafisë tënde. Adhurimi për të, me sa duket u bë shkak që Enveri të më bënte më vonë pjesë të delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Edhe aty nuk harronte të më kujtonte të shënoja çdo gjë me përpikmëri të madhe. Se e shkruara mbetet, fjalët i merr era, më thoshte me shpoti…
Pra, keni qenë delegat në Kongresin e Përmetit, madje keni mbajtur edhe protokollin e punimeve të tij…
Në Kongresin e Përmetit hyra si delegat, bëra regjistruesin e delegatëve dhe punimeve të tij, por u zgjodha edhe deputet. Aty pata rastin të njihem me shumë personalitete që më vonë u bënë protagonistë të zhvillimeve politike të kohës. Nga takimet e atyre ditëve në Përmet, ruaj përshtypjet më të mira për Manol Konomin. Një burrë i qetë, i shtruar, me kulturë dhe shumë modest. Ndryshe nga një pjesë tjetër e të zgjedhurve që shfaqeshin euforikë e luftarakë, Manoli spikaste për vetëpërmbajtje dhe sjellje të kujdesshme. Ishte kjo arsyeja që e mirëprita zgjedhjen e tij ministër Drejtësie. Në Përmet gjithashtu pata rastin të bisedoj gjatë me Koçi Xoxen, me të cilin njihesha qysh në vitet 30. Koçi ishte disi ndryshe nga Manoli, por sidoqoftë dallohej për pjekuri dhe qartësi në shqyrtimin e çështjeve. Ai i përkiste brezit të parë të komunistëve të grupit të Korçës…
Si jeni njohur me Koçi Xoxen dhe çfarë kujtoni nga periudha kur militonit bashkërisht në grupin komunist të Korçës?
Me Koçi Xoxen fillimisht më ka prezantuar Koçi Bakua, ish-kreu i grupit komunist që u vra ditën e themelimit të Partisë Komuniste në demonstratën e organizuar në qytetin e Korçës. Takimi i parë i përket një pasditeje vere të vitit 1938 në kafen e Koçi Bakos. Ata të dy ishin kushërinj të parë dhe të lidhur familjarisht me njëri-tjetrin. Kontaktet me idetë komuniste kishin ngritur te ta një botë tjetër, ku shquhej shpresa e optimizmi. Themeli i filozofisë së tyre ishte përfshirja pa asnjë lloj ndasie në frontin e luftës kundër pushtuesit. Rreth kësaj teme folëm gjatë edhe atë ditë, ku veç nesh ishte dhe Tahir Zavalani, i cili kryente detyrën e të ngarkuarit të KOMITER-nit për Shqipërinë…
Gjatë viteve të Luftës, në çfarë raportesh keni qenë me Koçi Xoxen?

Petrit Dume
Gjatë kësaj kohe kemi pasur takime të pakta. Situatat rrodhën të tilla që nuk na mundësonin kontakte të shpeshta. Koçi Xoxja në prill të vitit 42 u burgos e qëndroi aty deri nga mesi i vitit 1943. Konsideratat