Ligji i ri, si do emërohen dhe shkarkohen mësuesit
Projekti për arsimin parauniversitar: Si vlerësohet puna për pagën.
Duhen me master, largohen edhe për rezultatet e nxënësve.
Nuk do të pranohen më mësues pa Master në arsimin parauniversitar. Përjashtim bëjnë vetëm ata që japin mësim në ciklin parashkollor. Përzgjedhja e arsimtarëve mbi bazën e bindjeve politike, miqësive apo edhe ndonjë sasie parash nën dorë do të jetë shkelje e pastër e ligjit. Vendin e punës do ta fitojnë me konkurs. Ndaj drejtuesve të shkollave do të ndërmerren masa penalizuese. Po kështu do të jetë i detyrueshëm trajnimi i arsimtarëve të paktën tri herë në vit, ndërsa vlerësimi për shkallët e karrierës do të bëhet me tituj. Këto janë vetë disa nga nenet e projektligjit për arsimin parauniversitar që prekin direkt mësuesit. I miratuar dje nga qeveria, në të sanksionohet mënyra e rekrutimit të arsimtarëve, skema e re e financimit dhe kurrikulat. Mësuesi i arsimit parashkollor duhet të ketë diplomë universitare të ciklit të parë të studimeve universitare Bachelor në fushën e edukimit. Mësuesi i arsimit fillor, mësuesi i arsimit të mesëm të ulët dhe mësuesi i gjimnazit, diplomë e ciklit të dytë të studimeve universitare, thuhet në projektligj. Sipas tij, mësuesi i shkollave të arsimit profesional që jep lëndë profesionale, ai i arsimit të orientuar dhe mësuesi që punon me nxënësit me aftësi të kufizuara, duhet të ketë fituar diplomë të ciklit të dytë në fushën e edukimit. Ministria e arsimit pritet të nxjerrë udhëzim të veçantë për diplomat e marra nga mësuesit e vjetër, të cilët kanë vite që punojnë në arsim. Të sapodiplomuarit në Mësuesi duhet të japin domosdoshmërisht provimin e shtetit.
Pranimi dhe largimi nga puna
Në institucionin arsimor publik, për një vend të lirë pune mësuesi emërohet nga drejtori i institucionit me konkurrim të hapur, pas propozimit të kandidaturave të komisionit përzgjedhës, thuhet në ligj. Sipas tij, komisioni ka në përbërje të tij një përfaqësues nga njësia arsimore vendore, një përfaqësues nga njësia përkatëse e qeverisë vendore, kryetarin e ekipit lëndor përkatës, kryetarin e bordit të institucionit dhe një mësues me mbi pesë vjet përvojë në ushtrimin e profesionit, i cili caktohet nga drejtori i institucionit pas konsultimit me këshillin e mësuesve. Procedurat e përzgjedhjes përcaktohen me udhëzim të ministrit, thuhet në projektligj. Rezultatet e nxënësve do të jenë tregues të rëndësishëm për cilësinë e mësimdhënësve. Madje ligji përcakton se në rast se në provimet kombëtare ata dalin dobët vazhdimisht, ndaj mësuesve do të merret masa e largimit nga puna. Drejtori i institucionit publik largon mësuesin nga institucioni për: shkelje të dispozitave të Kodit të Punës, të këtij ligji e të akteve të tjera nënligjore; shkelje të etikës e të sjelljes në institucion, arritje të ulëta e të përsëritura të nxënësve, krahasuar me arritjet që kanë kolegët e tjerë me këta nxënës a me nxënës të tjerë në klasa analoge, përcakton projektligji.
Titujt e karrierës
Vlerësimi nga testimi i përvitshëm për shkallët e karrierës do të bëhet me tituj. Paralelisht do të përfitojnë dhe shtesën në pagë. Në varësi të viteve të punës ajo varion nga 5-20%.
Kategoritë e kualifikimit të mësuesve janë Mësues i kualifikuar, Mësues specialist, Mësues mjeshtër. Për të marrë titullin e parë një mësues duhet të këtë mbi 5 vite eksperiencë pune. Për të dytin deri në 10 vjet, ndërsa mjeshtër është kategoria e arsimtarëve që kanë mbi 20 vite punë në arsim. Rritja në kategori e mësuesit bëhet nëpërmjet përvojës, trajnimit dhe pasi të ketë dhënë me sukses provimin përfundimtar të kategorisë përkatëse të kualifikimit, thuhet në ligj.
Trajnimet profesionale
Institucioni arsimor planifikon zhvillimin profesional të mësuesve sipas nevojave të tyre dhe në përputhje me politikat arsimore qendrore, vendore dhe të institucionit. Format e zhvillimit profesional janë: zhvillimi i brendshëm profesional, trajnimet, rrjetet profesionale, këshillimet, kurset afatshkurtra dhe ato afatgjata, përcakton ligji. Sipas tij, mësuesit dhe drejtorët trajnohen të paktën 3 (tri) ditë në vit. Trajnimet zhvillohen sipas sistemit kërkesë ofertë, në bazë të kërkesave nga institucionet arsimore dhe të ofertave nga agjenci trajnuese që mund të jenë publike ose private. Programet trajnuese akreditohen nga Ministria, thuhet në ligj. Në të përcaktohet se njësitë arsimore vendore organizojnë kualifikimin e vazhduar të mësuesve në bashkëpunim me agjenci trajnuese me programe trajnimi të akredituara, të përzgjedhura me konkurrim të hapur, sipas procedurave të parashikuara në udhëzimin e ministrit.
Pjesa e ligjit per mesuesit
Profesioni i mësuesit
Mësuesi në institucionin arsimor duhet të ketë fituar diplomën e mëposhtme në fushën e edukimit ose diplomë të njëvlershme me të:
Mësuesi i arsimit parashkollor: diplomë universitare të ciklit të parë të studimeve universitare Bachelor;
Mësuesi i arsimit fillor, mësuesi i arsimit të mesëm të ulët dhe mësuesi i gjimnazit: diplomë e ciklit të dytë të studimeve universitare.
Institucionet arsimore që shërbejnë për kryerjen e praktikave mësimore të studentëve të mësuesisë dhe të praktikave profesionale të atyre që janë të diplomuar për mësues, përzgjidhen në bazë të kritereve dhe procedurave të përcaktuara me udhëzim të ministrit.
Mësuesi që ka të drejtën e ushtrimit të profesionit regjistrohet në Ministri.
Kualifikimi i mësuesve
Kategoritë e kualifikimit të mësuesve janë tri:
Mësues i kualifikuar
Mësues specialist
Mësues mjeshtër
Rritja në kategori e mësuesit bëhet nëpërmjet përvojës, trajnimit dhe pasi të ketë dhënë me sukses provimin përfundimtar të kategorisë përkatëse të kualifikimit. Kriteret dhe procedurat e kualifikimit të mësuesve përcaktohen me udhëzim të ministrit.
Çdo kategori kualifikimi shoqërohet me një shtesë në pagë, masa e së cilës përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Privatët, financim nga buxheti
Shkollat private jofitimprurëse me 5 vite eksperiencë do të futen në skemë
Klasa e parë nis 6 vjeç, deri në 16 vjeç shkolla me detyrim
Skema e re e financimit, që do të zbatohet në arsimin parauniversitar, do të jetë e ngjashme me atë të universiteteve. Në të do të përfshihen, veç sistemit publik, edhe privatët. Ndërkohë që do të bëhet i detyrueshëm arsimi deri në 16 vjeç. Ministria mund të mbështesë financiarisht institucionet arsimore private vendase, të cilat janë jofitimprurëse dhe kanë të paktën pesë vjet që funksionojnë si institucione private, thuhet në nenin 39 të projektligjit. Sipas tij, mbështetja financiare për shkollat private diferencohet sipas renditjes së tyre në provimet kombëtare të arsimit bazë ose të Maturës Shtetërore, si dhe në testimet ose konkurset ndërkombëtare. Shkollat private e përdorin mbështetjen financiare vetëm për nxënësit e shkëlqyer në veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare, thuhet në projektligj. Burimet e financimit do të jenë katër. Përkatësisht shkollat do të marrin fonde nga buxheti i shtetit, të ardhurat e njësive të qeverisjes vendore, dhurimet e sponsorizimet, të ardhurat e përftuara nga institucionet arsimore dhe të ardhura të tjera të ligjshme. Financimi nga buxheti i shtetit planifikohet me formulën për nxënës, sipas treguesve të veçantë të niveleve arsimore dhe kushteve të institucioneve arsimore publike.
Në buxhetin e shtetit, për njësitë bazë të qeverisjes vendore, caktohet një fond për nxënës, i cili përdoret për mirëmbajtjen e institucioneve arsimore publike, thuhet në projektligj.
Nivelet e arsimit
Arsim parashkollor, arsim bazë dhe arsim i