E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si na shohin të tjerët?

31-10-2012 / Nga Gani Mehmetaj

Kohën e fundit disa filma hollivudianë dhe të disa kinematografi evropiane merren gjithnjë e më dendur me mafinë shqiptare nga prizmi etnik. Si i shohin autorët amerikan e evropian shqiptarët? Me dioptri të zezë, si banda të organizuar që merren me krime, mizor në veprim e hakmarrës në kodin gjenetik. Por edhe ne, shpesh herë hakmarrjen mafioze e trajtojmë si hakmarrje kanunore. Ashtu ua thotë mendja disa regjisorëve të rinj se do të depërtojnë më lehtë në botë, duke e bartur tej kufijve në mënyrë klandestine Kodin e Mafisë si Kanun të Lekë Dukagjinit. Edhe në kinematë tona: në Tiranë e në Prishtinë, vjetëve të fundit u dhanë një mori e filmave për mizoritë e mafisë shqiptare. Nëse për asgjë tjetër, këta filma vlen të shihen për paragjykimet e skajshme të të huajve ndaj nesh dhe për informacionin e munguar. Nuk është përjashtimi as filmi “Taken 2”, në regji të Oliver Megaton me aktorin e famshëm Liam Nilsen në rolin kryesor. Është më paragjykues, më i çoroditur dhe më konfuz se sa të gjithë filmat e tjerë për mafinë shqiptare nga aspekti etnik.       
Përmbajtja e shkurtë mund të jepet në disa rreshta: Ish-agjenti i CIA-s i ka fiksim mafiozët shqiptarë. Ata e ngacmojnë sërish, sepse duan të hakmerren për vrasjet e mëhershme (na kujtohet filmi “Taken”, që po ashtu ka temë trajtimi shqiptarët). Heroi i pathyeshëm i filmit ka probleme me gruan, por mafiozët shqiptar ndikojnë që ai t’i kthehet familjes. 
Kur e shikon këtë film tipik kriminalistik, prodhim serikë i Holivudit, krijon përshtypjen se fabrika e ëndrrave prodhon filma për debilë, apo regjisorët janë tejet tendencioz. Publiku i painformuar nuk e ka idenë se skenaristi e regjisori kanë huq në vijëzimin e antagonistëve, kanë huq në ngjyrimin gjeografik, në tipizimin e personazheve, nuk ia ngjasojnë me asnjë vijë karakteri mafiozëve shqiptar, nuk ia përafrojnë as pamjes së tyre dhe as fesë. 
Filmi ka marrëzira me thes, budallallëqe diletantësh, ndërsa shikuesi perëndimor nuk e ka idenë se këto gjëra janë marrëzira: të pasakta, tendencioze dhe pjellë e imagjinatës së varfër të skenaristëve  
Në filmin “Taken 2”  mafiozët janë shqiptar të Tropojës. Regjisori dhe skenaristi Markun, të birin e kryebanditit e varrosin sipas ritit mysliman, në vendlindje që më shumë i ngjason një katundi diku në maje të maleve Ararat sesa në Alpet shqiptare. Vëllezërve të Markut derisa rrinë pas hoxhës, u shihet ylli dhe hëna-tatuazh në kyçin e dorës, simbol i flamurit turk! Babanë e Markut, tropojanë e interpreton serbi Rade Sherbexhia, të cilin jemi mësuar ta shohim në dhjetëra filma, në rolet e mafiozëve rus, sepse ka fytyrë tipike sllave, me theksin sllav kur e flet gjuhën angleze. Ai paraqitet hakmarrës patologjik, i gatshëm t’i shkrijë të gjithë djemtë për hakmarrje; është mizor dhe i pabesë; dinak e monstrum. Hakmarrja e tij është hakmarrje e sëmurë e jo hakmarrje kanunore. Karakteri i tij paraqitet jo si një malësor hakmarrës, por si ta kishte lexuar regjisori portretin e serbit Vladan Gjorgjeviq për shqiptarët.  
Nuk është vetëm aktori Sherbexhija ai që nuk i ngjason asnjë shqiptari qe nga Tropoja  deri në Ksamil, por të gjithë mafiozët shqiptar në film janë shtatë shkurtër, të majmur, me lëkurë të errët aziatike, që s’kanë asnjë ngjashmëri me malësorët shtatgjatë. Qe nga Rade Sherbexhia e të tjerët nuk sheh asnjë figurë shqiptari.  
Por nuk janë vetëm këto marrëzira që e karakterizojnë filmin “Taken 2”.  Ka edhe budallallëqe të tjera, jo të paqëllimshme: mafiozët shqiptar përshëndeten arabisht, ndërsa ndonjë fjalë tek-tuk e thonë edhe shqip, (kur shajnë), veprojnë në Stamboll etj.      
Ky është rrëfimi i filmit, të tjerat janë bërë sipas standardit të filmit kriminalistik, me kuadro të shkurta, dinamike, me shpërthime të vrullshme, makina që bëhen copë-copë si të ishin lodra fëmijësh etj. Fundi është fatlumë, armiqtë vriten dhe publikut s’i mbetet tjetër pos të duartrokas....
Në dhjetëvjetëshin e fundit filmat me mafiozët shqiptarë dhe hakmarrjen e tyre mizore janë bërë modë. Fati i aktorëve shqiptarë të Prishtinës, që i interpretojnë pa ngurrim rolet e tilla, duke e plotësuar boshllëkun e kinematografisë në Kosovë që nuk e kemi. Por kësaj radhe nuk u angazhua asnjëri syresh: gjetën aktorë nga Turqia e kontinenti i Azisë që luanin shqiptarët!

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›