Hillary Klinton, nesër vizitë të posaçme në Tiranë
Pas vizitave zyrtare në Sarajevë, Beograd dhe Prishtinë, në kuadër të një turi rajonal, Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton mbërrin nesër në Shqipëri. Sekretarja Klinton do zhvillojë takime me Kryeministrin Sali Berisha, Presidentin e Republikës Bujar Nishani, si dhe do të mbajë një fjalim para deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë. Gjithashtu, Klinton do të ketë një takim edhe me kreun e opozitës, Edi Rama. Në të gjitha takimet e saj, Sekretarja amerikane do të përsërisë mesazhin e marrëdhënieve miqësore mes dy vendeve si dhe mbështetjen e Uashingtonit në proceset integruese të Shqipërisë. Në këtë kuadër, vizita e Klinton ka një rëndësi të veçantë, pasi vetëm një muaj më parë Shqipërisë iu akordua statusi i vendit kandidat në BE, ndërsa Brukseli kërkon në mënyrë imediate plotësimin e 3 kushteve të mbetura, për të cilat opozita heziton të japë votat.
Po ashtu, vizita e Klinton mbart edhe rëndësinë e saj simbolike, pasi bëhet në 100 vjetorin e Pavarësisë, kremtimet e të cilit kanë nisur. Pak muaj më parë në Uashington kryeministri Berisha i bëri ftesë Sekretares Amerikane të vizitojë Shqipërinë me rastin e kremtimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë. Pas takimit të atëhershëm, zyra e Kryeministrit konfirmoi se ftesës së ripërsëritur gjatë bisedës, Hilari Klinton i është përgjigjur pozitivisht dhe i ka premtuar Kryeministrit Berisha se do të jetë në Shqipëri.
Tirana nën masa të rrepta sigurie – qarkullim i kufizuar në kryeqytet
Tirana do të zgjohet nesër nën masa të rrepta sigurie. Rrugët e kryeqytetit do të monitorohen rreptësisht nga forcat speciale RENEA, ato të ndërhyrjes së shpejtë, policia e rendit dhe kriminale e drejtorisë së Tiranës. Shërbimi Informativ Shtetëror dhe Garda e Republikës kalojnë në shërbime të përforcuara, për të siguruar cdo metër të territorit dhe kryesisht të lëvizjeve sipas axhendës së sekretares amerikane të shtetit gjatë vizitës së saj në Tiranë. Njësia antieksploziv do jetë në shërbim gjatë të gjithë ditës duke kryer kontrollet për lëndë plasëse apo të rrezikshme në gjitha vëndet ku do të qëndrojë dhe vizitojë Klinton. Do të ketë bllokimin e autostradës në krahun e lëvizjes gjatë hyrje-daljes në Tiranës, në momentet e lëvizjes, ndërsa snajpera dhe vëzhgues do të ketë thuajse në të gjitha pikat më të larta të kryeqytetit. Jo zyrtarisht thuhet se janë 1500 efektiva që do të angazhohen në mbarëvjajtjen e vizitës së Klintonit, ndërsa ekspertë të ekipit të shoqërimit dhe ruajtjes së saj, prej disa ditësh kanë vëzhguar vëndet ku do të lëvizë sekretaria amerikane duke mbajtur kontakte intensiveb me krerët e drejtorisë së përgjithshme të policisë dhe drejtorisë së policisë së Tiranës. Në orët e paradites është bërë një mbledhje e përbashkët për formulimin e aktit final të planit të masave për vizitën, e cila do të pasohej nga një tjetër takim në drejtorinë e policisë së tiranës për ndarjen e detyrave dhe marrjen e instruktimeve më të fundit. Në orët e mbrëmjes pritet që të bëhen publike dhe oraret përkatëse për rrugët që do të bllokohen gjatë vizitave. Ndërsa në mbrëmje pritej largimi i automjeteve të parkuara pranë ambasadës amerikane, në zonën e rezidencave apo pranë institucioneve ku do zhvillohen takimet dhe do mbahen konferencat për shtyp.