Si në kohë të Stalinit

Katedralja e Krishtit Shpëtimtar është një ndërtesë masive, e mbuluar me kupola të arta, që ndodhet në brigjet e lumit Moskva, jo fort larg Kremlinit. Është kjo kisha më e madhe në Rusi, që u rikonstruktua në vitet e 90’a –meqë kishën origjinale të shekullit të 19’të komunistët e kishin shkatërruar në vitin 1931.
Për Kishën Ortodokse Ruse, katedralja simbolizon ringjalljen e saj pas rënies së Bashkimit Sovjetik. Është kjo kisha ku patriku rus mban meshat e Krishtlindjes dhe Pashkëve. Presidenti Vladimir Putin është një mysafir i rregullt i saj.
Por, ka afro pesë muaj që kisha është në qendër të një skandali që lidhet me kishën, politikën dhe lirinë e shprehjes në Rusi. Gjykimi i anëtareve të Pussy Riot, që të hënën filloi në Moskë, cilësohet si një prej më kontroversëve viteve të fundit në Rusi. Kritikët – si gazetari moskovit Masha Gessen – e krahasojnë atë me gjykimet–shfaqje të kohës së Stalinit, në vitet e 30’a. Të gjitha sesionet gjyqësore do të emitohen ‘live’ në internet, që është një risi në Rusi.
Tri femra kundër Putinit
Nadezhda Tolokonnikova, Maria Alekhina dhe Yekaterina Samutsevich janë tri femrat që po gjykohen. Tri vajzat, me moshë rreth të njëzetave, janë anëtare të punk-grupit provokues Pussy Riot, që publikon këngë e video politike në internet.
Interpretimi i tyre më kontrovers ndodhi në Katedralen e Krishtit Shpëtimtar, pak para zgjedhjeve presidenciale, më 21 shkurt 2012. Në një video në internet shihet grupi i fermave, me maska në fytyrë dhe të veshura me fustane të shkurtër, derisa vallëzojnë para altarit, me grushte të shtrënguar. Videoja shoqërohet me një punk-lutje, gjegjësisht me këngën që nga Shën Maria kërkon dëbimin e Putinit.
Autoritetet arritën ndërkohë të identifikonin tri femrat këngëtare, duke i mbyllur ato tash e pesë muaj në burg. Akuzohen për “huliganizëm”, ndërsa prokuroria kërkon nga shtatë vjet burg për secilën.
Publiku i ndarë
Gjykimi ka zgjuar interesim të madh dhe ka hapur debate të nxehta. Një kërkim i termit Pussy Riot në makinën më të madhe ruse të kërkimit ‘Yandex’ të hap nëntë milionë rezultate. Videoja në fjalë ndërkaq ka 1.5 klikime në YouTube. Numri i komenteve për klipin dyminutësh, që po rritet dita-ditës, aktualisht është 30,000. Mendimet janë të ndryshme. "Duket sikur kur dikush njollos shtëpinë time me m...”, ankohet një komentues. Tjetri ndërkaq thotë se rasti i ngjanë një hakmarrjeje politike: “Tri vajzat po trajtohen si të kishin përgatitur një sulm terrorist”.
Shoqëria ruse duket e ndarë. Sipas një ankete të kohëve të fundit, 39 përqind e të anketuarve mendojnë se disa vite burgim do të ishin një dënim i merituar për tri femrat e reja, përderisa 37 përqind shprehen kundër dënimit të tyre.
Kërkojnë lirimin e këngëtareve
Aktivistë për të drejtat e njeriut ka muaj që kërkojnë lirimin e tri anëtareve të Pussy Riot. Organizata Amnesty International ato i përshkruan si “të burgosura politike”, ndërsa drejtuesja e organizatës Helsinki Watch Moscow, Lyudmila Alexeyeva, pohon se ky është “një gjykim politik”.
Ajo që është e pakontestueshme është se gjykimi po zhvillohet në kohën e ashpërsimit të ligjeve, gjë që nga monitoruesit shihet si një përpjeke frenimin e protestave politike në Rusi.
Nga ana tjetër, edhe skena ruse e artit duket e bashkuar në këtë rast. Shkrimtarët, muzicientët dhe aktorët rusë mund të kenë pikëpamje të ndryshme për atë nëse punk-lutja në katedrale ishte një ide e mirë ose jo. Por, shumica e tyre janë kundër dënimit të vajzave. Në një letër të hapur drejtuar Gjykatës së Lartë të Rusisë, mbi 100 artistë kulmorë rusë kërkuan lirimin e të tri muzicienteve të reja. DW