E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si shpëtoi nga ekzekutimi prof. Fejzi Dika

30-12-2012 / Nga Kostaq Xoxa

Është njëri ndër të njohurit e Enver Hoxhës në Monpelié dhe në qytete të tjera të Francës. Themi „të njohurit“ dhe jo „miqtë“ se Enveri nuk kishte miq në periudhën e studimeve universitare, me bursë të pamerituar. Me Vedat Kokonën kanë pas banuar në një dhomë në Korçë. Vedatit iu propozua nga Enveri që të rrinin bashkë në  dhomën e tij, për të paguar secili gjysmën e qirasë. Ishte një lumturi për memorialistikën shqiptare që Vedati (7.08.1913 - 14.10.1998) jetoi tetë vjet pas ndërrimit të sistemeve, që sot lexuesi të ketë mundësinë të  lexojë kujtime nga më të besuarat. Dhe nga një person që kishte fituar çmime në konkurrime letrare, që në moshën studentore. Ndër Kujtimet e tij (“endur në tisin e Kohës”), ndër më të mirat e kësaj gjinie, janë mbresëlënëse në mënyrë të veçantë dy episode domethënëse: Enveri nuk i kishte folur asnjëherë për politikë. Dhe, së dyti, kur i kishte dhënë këshillën sesi të korrigjonte hartimet e nxënësve, meqë Vedati i zellshëm humbiste dy orë e më tepër për korrigjimin e tyre: - Hidhi një sy atje, shih disa rreshta të tjera dhe e ke gjykimin për t’i vlerësuar, - i thoshte shoku i dhomës.  Po këtë mendim kishte edhe L. Belishova kur, në mënyrë konfidenciale, Enveri i kishte thënë  sesi të lexoheshin librat, natyrisht përpara kalvarit të saj.

Ndërsa F. Dika (15.12.1907 – 16.01. 1983) vdiq 7-8 vite para rrëzimit të diktaturës (por jo zhdukjes së mendësisë së saj), një paradoks anakronik për shpërfilljen e Rezolutës së Asamblesë Parlamentare të BE- së (1996) nga ithtarët e enverizmit, të kamufluar, por edhe të hapur fare (fotoja e Enverit në interieret e ministrinë e Jashtme, Festat e 16 shtatorëve në Pezë, me akzaltimet për  Enverin, me orgjitë gjer në mëngjes dhe me këngët „Enver Hoxha e nxori shpatën, edhe njëherë për situatën“ dhe „Fol Enver të lumtë goja“), por edhe me këmbënguljen e „historianëve“ të tij që të ngrihet sërish përmendorja e E. Hoxhës (!), nëse i bëhet monument Ahmet Zogut I, me argumentet e antishqiptarit Galeaco Çianos, të falsifikuara edhe ato… Mos të harrojmë pa përmendur edhe „meritat“ e ditëve të fundit në parlament, të diktatorit E. Hoxha nga ana e G. Ruçit të 2 prillit , për të cilën ai mori aty për aty përgjigjen e merituar prej kryetares së parlamentit, zonjës J. Topallit.
***
Thamë se prof. Fjezi Dika, nuk e pati atë shans që të jetonte pas ndërrimit të sistemeve. Kjo shpjegon që në shënimet biografike të tij ai nuk e përmend asnjëherë Enver Hoxhën. Por gruaja e tij, Nora Prosi, në vjershat e tij personifikohet bukur në vargje sikur të ishin të rinj, në vjershën “Norës” dhe në atë tjetrën “sytë e Norës”. Të dyja, katër strofash. Nga e para po citojmë strofën e tretë: “Me mënyra delikate / Më ke lidhur fort pas teje; / Butësi e ndjenjës sate / Lë përshtypje kadifeje”. Nga e dyta po riprodhojmë strofën e fundit: “Kur të më vijë e shtrenjta ditë / Që të më shuhet çdo shpresë e dritë / Do të marr udhën për t’u harruar / Dy sytë e shtrenjtë duke kundruar”. Kjo Nora me sytë e shtrenjtë, me butësi ndjenjash e delikate, ka shkruar në librin “Fejzi Dika, në ëndërrimet pa kufi”, se “Fejziu nuk flet asnjë fjalë për ish-shokun e tij të klasës, Enver Hoxhën, gjë që tregon se ai i qëndroi besnik fjalës që i kishte dhënë vetes, që të mos shkruante asnjë gjë për të! (f.14 e librit të sapocituar, botuar në vitin 2003). Ai e dinte sesi do të përfundonte familja, po të kishin rënë në duar të diktatorit didari i tij,  në qoftë se do të fliste sinqerisht  në kujtimet për Enverin. Por, amà, ishte edhe i guximshëm, në një provokim që iu bë nga langonjtë e Enverit. Njëri nga këta, me “dashamirësinë” e kameleonit, i tha si  mik që do të ishte mirë, me rastin e festës së ditëlindjes së sh.Enver, që të shkruante një artikull për shoqërinë e  hershme në Francë. Fejziu i tha shkurt: “Nuk i mbaj mend ato ngjarje” .Mjaftoi kjo që ky burrë i ndershëm të përfundonte në defterin e zi të hakmarrjeve të Enverit. Më 20 shkurt të vitit 1951, ishte në listën e viktimave të asaj që u quajt Bomba në Ambasadën Sovjetike, por shpëtoi aksidentalisht, siç do ta shohim në vijim. Për këtë do të na duhet të paraqesim fare shkurtimisht, biografinë që prof. Dika e ka shkruar dhe ia kishte lënë për ruajtje familjes. Mituria dhe rinia në varfëri të skajshme. Prindëritt e lanë rrugëve, se vdiqën nga gripi spanjoll. E mori për sevap një fqinji i tij (1916). Në vitin 1920 përçapjet për nxënës në Liceun e Korçës.  Më 1921 lutja për bursë mbeti pa përgjigje. Në vitin 1922 i ungji i caktoi 20 fr./muaj, që të vazhdonte studimet në Liceun Francez të Korçës, me kursime të mëdha. Drejtori i Liceut, për hir të rezultateve të larta, në marrëveshje me ministrinë e Arsimit, e ndihmoi të futej në internat. Shtator 1930: Në Francë, në Monpelié, ku ishte student edhe Enveri. Ndonëse donte të studionte për Filozofi, iu dha e drejta për histori-gjeografi. I bëri të dyja paralelisht, për të mos humbur bursën. Gusht 1934: Kthehet në Shqipëri. Në tetor të këtij viti, në Elbasan jep mësim në sociologji dhe në pedagogji. 1939: Si antifashist u orvat të arratisej në Greqi. Por u mbyll kufiri. Dhjetor 1939, profesor në Liceun e Korçës. Jepte Frëngjisht dhe Filozofi. 1942: Në gjimnazin e Tiranës. 1944: me ardhjen e partizanëve, u pushuan të gjithë arsimtarët. Me riemërimet  u caktua në shkollën Tregtare të Vlorës. Mbeti tri muaj pa punë, për sëmundje në familje. Pastaj vajti në Vlorë, i mobilizuar. 1944-’45: Shkolla Pedagogjike, Elbasan. 1946: mbeti vendi bosh për mësimin e frëngjishtes në Tiranë. (Këtu kam pasur fatin ta kem profesor). Pas një viti : Letërsi në Politeknikumin 17 Nëntori. Siç shihet, plotësoheshin vendet vakant,  duke e bërë profesorin si top futbolli. Se, kur nuk ia kishin nevojën, e linin edhe fare pa punë.  Por çdo e keqe shndërrohet shpesh në të mirë, - siç thuhet. Në politeknikum jepnim mësim edhe inxhinierë sovjetikë. Kur ishte pa punë, në pikë të hallit, u dha mësim privat sovjetikëve. Në Ambasadë i doli nami se ishte në gjendje t’ua mësontë shqipen sovjetikëve, në një kohë rekord. Pas një detyrimi për të dhënë mësim në Gjirokastër, mbeti sërish pa punë. Ndërkaq sovjetikët e morën privatisht në Ambasadë për t’i mësuar personelit shqipen dhe frëngjishten, në kohën kur edhe Norën e lanë pa punë (1950-’51). Nora bënte punën e rrobaqepëses private në shtëpi, ku vinin njerëz të besuar, se edhe kjo punë bëhej fshehurazi. Fejziu u bë ndihmësi i Norës. Biografia mbyllet me fjalët “dola në pension në moshën 60 vjeç”.
Por Nora, në biografinë vazhduese të nënshkruar “Familja”, shkruan sesi shpëtoi F. Dika nga 22 të vrarët e pafajshëm, të ekzekutuar  pa gjyq, apo me një gjyq-farsë të mëvonshëm, për të mbuluar mizorinë enveriste. Ndër të ekzekutuarit ishte dhe Sabiha Kasimati, që merrej vetëm me shkencën e gjallesave ujore, pra aspak me politikë, por që e tallte Enverin si njeri aventurier, donaiolo, kur ishin bashkëstudentë. Për këtë vajzë shkruan me simpati edhe Vedati në Kujtimet e tij. Në listën e ekzekutimeve ishte edhe Fejzi Dika. Në librin për Fejziun lexojmë për atë ngjarje që tmerroi të gjithë Tiranën: “Fejziu mundi të lirohej vetëm një ditë para se të 22 personat e arrestuar t’i çonin drejt pushkatimit dhe kjo u bë e mundur në sajë të ndërhyrjes së vetë Ambasadorit  sovjetik te vetë Enver Hoxha, i cili i doli garant se Profesor Fejzi Dika nuk mund të ishte i implikuar në çështjen e bombës  në Ambasadën e tyre” (f. 16). Kjo dëshmon edhe se vetë sovjetikët e dinin se Enveri ishte një Stalin i vogël, që në disa raste ia kalonte edhe Stalinit të madh dhe këtë krim “besnikërie” e bëri si justifikim dy vjet para vdekjes së Stalinit. Por edhe ky, për vrasjen e Kirovit, ekzekutoi Nikolajevin, shoferin e Kirovit dhe disa të tjerë të aparatit burokratik , por jo të merrte nga krevati njerëz që kuptohej ashiqare se s’kishin të bënin asfare me Bombën në Ambasadë. Me krime të tilla Enver Hoxha iu shmang destalinizimit që mori fill 6-7 vite më vonë. Kjo shmangie i kushtoi shumë popullit tonë, që do të kishte mundur të shpëtonte  nga fuqizimi i enverizmit, përmes vazhdimësisë së privilegjeve të pamerituara të mëkatarëve të cilët edhe sot i thurin ditirambe.
Në tufën e poezive në frëngjisht Poeti Fejzi Dika e ndjente veten  paksa më të sigurt, meqë injorantët e kontrollit, nga ç’dimë, nuk u kushtonin rëndësi vjershave franceze. Nga këto mund të riprodhojmë “La Complainte d’un Infortune “ (Kënga e vajtimit të një fatkeqi). Po citojmë strofën e dytë:
On parle de la liberté
Et je me sens dans l’esclavage;
On peut lirë sur mon visage
Le dur coup que j’ai suppporté.
Mbase është e guximshme që ia lejoj vetes ta përkthej në vargje këtë strofë:
Na prutë lirinë! – thatë pa pushuar
Por unë rënkoj në skllavëri.
Ma shih fytyrën si në zi
Që të kuptosh se ç’kam duruar...
Gjatë atij njëvjeçari që na dha mësim, ishte vërtet i prerë për atë punë, me taktin pedagogjik, me pasionin e tij për të na e bërë të dashur frëngjishten, shkurt për të na e mësuar në një kohë rekord atë gjuhë. Të gjithë nxënësit e admironin.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›