E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si trembet Milanit

Pas humbjes në shtëpi nga Bari me rezultat 1:2, ku e realizoi golin e vetëm për Chievon, Erjon Bogdani shikon përpara. Sulmuesi shqiptar po mendon qysh tash për ndeshjen e ardhshme të ekipit nga Verona, kundër Milanit, e cila do të zhvillohet të dielën mbrëma.

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare beson tek bashkëlojtarët dhe thotë se klubi nga paralagjja e Veronës ka kapacitet ta mposhtë çdo ekip.

Mund ta mposhtim këdo, këtë e kemi demonstruar herëve të kaluara. Edhe pse, duhet pasur të qartë se do të ballafaqohemi me Milanin. Por, ne nuk kemi aspak frikë, nuk kemi pasur asnjëherë. Rossonerët janë kundërshtari i duhur për tu bërë të tjerëve me dije se nuk jemi në vështirësi. Milan mund të mposhtet. Nëse Chievo është në Serie A, ky ekip duhet të ketë shpirt fituesi, u shpreh ish futbollisti i Salernitanës, Veronës, Sienas e Livornos.

Bogdani është rikthyer të flasë edhe për humbjen befasuese në shtëpi nga Bari të dielën, e cila e prishi sadopak serinë e mirë të rezultateve të klubit nga paralagjja e Veronës. Nuk kemi shkëlqyer. Por, nëse duhet të bëhemi real, kemi mundur të barazonim, por nuk na u dhanë dy penallti nga gjyqtari, tha Bogdani, i cili në ndeshje me ekipin puljez u fut në lojë në pjesën e dytë.

Në ndeshje me Rossonerët, trajneri Di Carlo duhet të heq dorë dhe nuk do të mund të llogarisë në të lënduarin Rigoni. Pas tetë xhirosh të zhvilluara në Serie A, Chievo zë pozitën e dhjetë me 11 pikë, prej tyre 3 fitore, 2 barazime e 3 humbje. Të dielën, nga ora 20:45, ekipi verdhekaltër e pret në stadiumin Bentegodi, Milanin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›