Si zakonisht, dështon edhe një miqësore
Dëshira e klubeve kosovare për të zhvilluar ndeshje ndërkombëtare vazhdon të mbetet vetëm ëndërr. Ndeshja e paralajmëruar ndërmjet kampionit të Kosovës, Hysit dhe skuadrës zvicerane Servette është anuluar.
Arsyeja e këtij anulimi tashmë është e njohur për kosovarët – Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ende nuk është anëtare e shtëpisë së futbollit botëror (FIFA) dhe asaj evropiane (UEFA).
Për anulimin e këtij takimi, drejtuesit e futbollit kosovar dhe udhëheqësit e ekipit bardhezi janë informuar nëpërmjet një shkrese të dërguar nga Federata e Futbollit e Zvicrës
“Në FFK ka ardhur një njoftim nga Federata e Futbollit e Zvicrës, që ndeshja nuk do të zhvillohet pasi ne nuk jemi të pranuar në UEFA dhe FIFA”, ka thënë për Express nënkryetari i FFK’së, Agim Ademi.
Sipas Ademit, ka pas disa indikacione nga serbët në Federatën zvicerane për anulimin e këtij takimi. Megjithëkëtë, ai beson se është vetëm çështje kohe kur ekipeve kosovare do t’u lejohet zhvillimi i ndeshjeve ndërkombëtare.
Në anën tjetër, shtabi teknik dhe futbollistët e Hysit nuk e kanë pritur aspak mirë këtë lajm. Por, ata pajtohen me realitetin – zhvillimin e ndeshjeve vetëm brenda kufijve të Kosovës.
“Jemi njoftuar për këtë lajm jo të mirë. E kemi pritur me keqardhje anulimin e takimit, pasi ne kemi qenë të përgatitur t’i masim forcat me një klub të huaj, për të cilën edhe lojtarët kanë qenë të entuziazmuar. Nuk na mbetet tjetër vetëm të vazhdojmë të luajmë brenda Kosovës”, u shpreh i zhgënjyer trajneri i Hysit, Fadil Ademi.
Nuk është hera e parë që ekipet kosovare dhe përfaqësuesja pengohen të zhvillojnë ndeshje nga ‘lobi serb’. Para pakë muajve njëjtë si Servette kishte vepruar edhe klubi turk Sivasspor, i cili anuloi takimin miqësor me Kosovën.
Ndërsa javë më parë, skuadra e Trepçës gjatë një turneu në Austri ishte refuzuar nga klubi rumun Otelul Galati dhe nga ai izraelit Maccabi Haifa.