E Diel, 1 Nëntor 2026

Siguria online e fëmijëve, 91 raportime në 6-mujorin e parë të 2026-ës

TIRANË, 10 gusht /ATSH/ Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka regjistruar 91 raportime për përmbajtje të dëmshme online gjatë periudhës janar-qershor 2026, të depozituara përmes platformës “Raporto”.

Sipas të dhënave të AKSK-së, 33 prej raportimeve lidhen me përdorimin e paligjshëm të imazhit, 19 me raste phishing/smishing, ndërsa 18 raportime kanë të bëjnë me bullizëm kibernetik apo ngacmim online.

Raportimet e tjera përfshijnë raste të mashtrimit online, vjedhjes së identitetit, shantazhit, kërcënimit, si dhe problematika të tjera të hasura nga fëmijët dhe të rinjtë në mjedisin digjital.

AKSK thekson se mbrojtja e fëmijëve dhe të rinjve në internet kërkon ndërgjegjësim, komunikim të hapur dhe raportim në kohë të çdo rasti që cenon sigurinë e tyre.

Me fillimin e vitit të ri shkollor, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike do të rifillojë takimet ndërgjegjësuese në shkolla, me synim pajisjen e fëmijëve dhe të rinjve me njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për një përdorim më të sigurt të internetit.

Në kuadër të këtyre nismave, AKSK do të vijojë bashkëpunimin me institucionet arsimore, prindërit, oficerët e sigurisë dhe institucionet përgjegjëse për parandalimin dhe trajtimin e rasteve që cenojnë sigurinë e fëmijëve dhe të rinjve online.

Autoriteti u bën thirrje prindërve, fëmijëve dhe të rinjve të mos hezitojnë të raportojnë çdo problematikë që cenon sigurinë e tyre në internet përmes platformës “Raporto”, në faqen zyrtare të AKSK-së.

/e.i/r.e/a.f/

Më shumë nga Teknologjia

Të gjitha ›