E Diel, 1 Nëntor 2026

Siguria ushqimore në standarde evropiane, vijon procesi i vlerësimit të stabilimenteve

TIRANË, 30 prill /ATSH/ Në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, po vijon me intensifikimin e masave për garantimin e sigurisë ushqimore, duke u fokusuar në përafrimin e standardeve.

AKU po zbaton procesin e vlerësimit dhe kategorizimit të stabilimenteve të produkteve me origjinë shtazore dhe ushqimit për kafshë, hap i rëndësishëm në përmbushjen e kërkesave të Kapitulli 12 “Siguria Ushqimore”.

Drejtoresha e Përgjithshme e AKU-së, Blerina Gjylameti, gjatë një monitorimi në një stabiliment përpunimi mishi në qarkun e Korçës, theksoi se ky proces synon rritjen e standardeve të sigurisë ushqimore dhe garantimin e produkteve të sigurta për konsumatorët.

“Sistemi i vlerësimit dhe kategorizimit ndihmon në identifikimin e nivelit të përputhshmërisë së subjekteve me standardet e Bashkimit Evropian, duke rritur njëkohësisht besimin e qytetarëve dhe konkurrueshmërinë e produkteve shqiptare” u shpreh Gjylameti.

Ky proces konsiderohet thelbësor për forcimin e kontrollit përgjatë gjithë zinxhirit ushqimor, nga prodhimi deri te tregtimi, duke garantuar cilësi dhe siguri në përputhje me standardet evropiane.

e.xh/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›