E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sigurimet e veturave, ulen çmimet

TIRANE - Prej disa ditësh, së paku dy kompani kanë ulur çmimet e sigurimit të veturave nën kuotën prej 15,6 mijë lekësh të përcaktuar bashkarisht nga ana e shoqërive të sigurimeve rreth një muaj më parë. Nga një sondazh nëpër sportelet e agjencive që tregtojnë polica e sigurimeve rezulton se dy kompani kanë shitur gjatë javës së shkuar dhe fillimit të kësaj jave sigurimet vjetore të klasit “B” të autoveturave me 12,500, ndërsa një e tretë me 13,000 mijë lekë. Ulja e çmimeve nga të tria kompanitë vjen në një çast kur të gjitha kompanitë që operojnë në tregun e sigurimit të automjeteve vendosën para një muaji t’i shisnin me çmimin 15,600 lekë, nga 14,600 lekë që tregtoheshin që prej shkurtit të këtij viti. Sipas burimeve brenda tregut të sigurimeve, ulja nën çmimin prej 15,600 lekësh, e vendosur bashkarisht nga shoqëritë, është bërë veçmas nga kompanitë përkatëse në emër të shitjes të sa më shumë sigurimeve.

Rritja e shtatorit
Çmimet e sigurimit të automjeteve shënuan një rritje të ndjeshme duke filluar që 17 shtatori. Nëpër sportelet e agjencive të sigurimeve policat njëvjeçare u shiten me 156 mijë lekë nga 146 mijë që tregtoheshin nga shkurti i këtij viti, ose përafërsisht 7% më të shtrenjta. Sipas kompanive, rritja është aplikuar vetëm për mjetet e klasit “B”, pra të autoveturave. 

Sipas kompanive, rritja e shtatorit për kategorinë e autoveturave i detyrohet faktit që ato janë shkaktaret e pjesës më të madhe të aksidenteve, të cilat mbulohen nga shoqëritë e sigurimeve. Ndërkohë që ç’është edhe më e rëndësishmja, autoveturat janë përgjegjëse për shtimin e numrit të aksidenteve me vdekje, të cilat, sipas kompanive, peshojnë më rëndë në bilancet e tyre.

Gjoba për marrëveshje të jashtëligjshme
Ndërkaq, jo më larg se dje, Autoriteti i Konkurrencës e ka konsideruar rritjen e çmimit të sigurimeve të automjeteve në shkurt të këtij viti si marrëveshje që shkel ligjet e tregut të lirë, duke i gjobitur të teta kompanitë që operojnë në tregun e autoveturave. Në një deklaratë të para dy ditëve institucioni vërente se shoqëritë janë marrë vesh mes tyre për rritjen në unison të çmimeve, gjë që është në dëm të konsumatorëve, por edhe të vetë tregut. “Rezulton së të gjitha ndërmarrjet që ushtrojnë veprimtari në tregun e MTPL-së së brendshme, duke filluar nga data 1 shkurt 2012 deri në datë 8 shkurt 2012, kanë rritur në mënyrë të njëkohshme dhe kanë fiksuar primin e sigurimit për të gjitha klasat e produktit MTPL e brendshme (termi teknik me të cilin përkufizohet sigurimi i automjeteve) me përjashtim të ndërmarrjes INSIG SHA për klasën B1/1, sjellje kjo që përbën një praktikë të bashkërenduar, e cila në kuptim të nenit 3, pika 4 të Ligjit “Për Mbrojtjen e Konkurrencës” konsiderohet marrëveshje, e cila në bazë të nenit 4, pika 1 gërma a është e ndaluar, pasi cakton në mënyrë të drejtpërdrejtë çmimin e shitjes”, shkruhej në dokumentin përfundimtar të Autoritetit të Konkurrencës.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›