E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama, pritje madhështore në Berlin

Kandidati demokrat për Shtëpinë e Bardhë, Barack Obama ka nisur sot nga Berlini, turneun e tij në Evropë në prag të zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.

Senatori demokrat u takua në Berlin me kancelaren gjermane Angela Merkel, ministrin e Jashtëm Frank-Walter Steinmeier dhe kryetarin e bashkisë, Klaus Wowereit.

Në prag të vizitës në Berlin, z. Obama u tha gazetarëve se shpresonte që fjalimi i tij para mijëra mbështetësve të tij në qytet, të shihej si shprehje e marrëdhënieve që ai dëshironte të ekzistonin mes SHBA-së dhe Evropës.

Para se të udhëtonte për në Berlin, Obama vizitoi Afganistanin, Irakun, Izraelin dhe Bregun Perëndimor. Ndwrsa neswr(të premten) ai do të vizitojë Francën dhe të shtunën Britaninë e Madhe.

'I preferuari' i gjermanëve

Korrespondenti i BBC-së në Berlin, Steve Rosenberg thotë se senatori i Ilinoisit është shumë popullor në Gjermani.

Sondazhet sugjerojnë se tre të katërtat e gjermanëve dëshirojnë që ai të bëhet presidenti i ardhshëm i Amerikës.

Sipas Rosenberg, Obama do të shpresojë se me t'u transmetuar në SHBA, pamjet e tij duke folur para turmës entuziaste në Berlin, do të forcojnë imazhin e tij si burrë shteti dhe do të shtojnë shanset për të mundur rivalin republikan, John McCain.

Në Berlin u morën masa të rrepta sigurie për vizitën dhe ka patur njoftime se u bllokua hyrja në një hotel të Berlinit ku pritej të qëndronte ai, pasi në të u gjet një paketë e dyshimtë.

(BBC)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›