Sigurimet rriten në 8-mujor, pagesat për dëmet arrijnë në 6 miliardë lekë

TIRANË, 3 tetor/ATSH/ Tregu i sigurimeve vijoi të rritet gjatë tetë muajve të parë të vitit, me më shumë kontrata sigurimi dhe një rritje të vlerës së dëmeve të paguara.
Sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), nga janari deri në gusht 2026, kompanitë e sigurimeve arkëtuan rreth 18,34 miliardë lekë nga primet, (shuma që paguan klienti për të marrë sigurimin) me një rritje prej 2,44% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ndërkohë, kompanitë e sigurimeve paguan rreth 5,96 miliardë lekë për dëme, ose 9,04% më shumë se në tetëmujorin e 2025.
Rritje është shënuar edhe në numrin e kontratave të sigurimit, i cili u rrit me 6,14%, ndërsa numri i dëmeve të paguara u rrit me 6,39%.
Sigurimet e automjeteve vijojnë të përbëjnë pjesën më të madhe të tregut. Sigurimet e detyrueshme motorike përbëjnë 68,78% të tregut Jo-Jetë, me prime prej rreth 11,52 miliardë lekësh, 4,01% më shumë se një vit më parë.
Për këto sigurime, kompanitë paguan rreth 3,88 miliardë lekë dëme, me një rritje prej 9,16%.
Edhe sigurimet vullnetare shënuan një rritje të pagesave për dëmet. Në këtë segment u paguan rreth 1,64 miliardë lekë dëme, 14,15% më shumë se në janar-gusht 2025, ndërsa primet arritën në 5,23 miliardë lekë.
Sigurimet e Jetës, edhe pse zënë një pjesë më të vogël të tregut, vijuan me rritje. Primet arritën në rreth 1,60 miliardë lekë, 6,19% më shumë, ndërsa dëmet e paguara u rritën me 14,71%, në rreth 260 milionë lekë.
Sipas AMF-së, zhvillimet në treg janë ndikuar nga ecuria e sigurimeve motorike, sigurimeve të shëndetit dhe aksidenteve, si dhe produkteve të sigurimit të lidhura me kreditë.
Në muajt e fundit, aktiviteti i dëmeve paraqitet i qëndrueshëm, si për sa i përket shumave të paguara, ashtu edhe numrit të rasteve.

/e.xh/a.f/