Sigurimi i banesave- Interes i ulët në Shkodër, Shumica lidhen për kredi bankare dhe hipoteka

Pavarësisht se Shkodra vlerësohet si një nga zonat më të ekspozuara ndaj rreziqeve natyrore si përmbytjet dhe zjarret, sigurimi i banesave mbetet një praktikë e kufizuar.
Drejtues të agjencive të sigurimeve në qytet bëjnë të ditur se numri i sigurimeve është i ulët në raport me numrin e banesave që ka Shkodra. Sipas tyre, pjesa më e madhe e policave të sigurimit lidhen kur banesat blihen me kredi bankare, ndërsa sigurimet vullnetare mbeten të pakta.
“Vijnë shumë klientë, pyesin për kushtet e sigurimit, pyesin për çmimet, por në finale sikur nuk janë të bindur për këtë lloj sigurimi. Pra i quhet një shpenzim i tepërt nga ana e tyre. Kështu e konsiderojnë më shumë. Kërkohen nga bankat, pra pjesa më e madhe edhe këtyre, pra një person që me shkuar me marrë kredi, i kërkohet nga banka sigurimi i jetës dhe sigurimi i pronës. Kjo është ajo që mbulon këtë pjesën më të madhe”, tha Arben Maliqi, drejtues agjencie sigurimi.
Agjentët e sigurimeve e lidhin këtë situatë kryesisht me mungesën e kulturës së sigurimit të pronës. Sipas tyre, trendi i sigurimit të banesave mbetet pothuajse i pandryshuar prej vitesh.
“Kryesorja mendoj është mentaliteti. Ne kemi ardhë prej një sistemi totalitar që të gjitha i ka siguruar shteti e tjerë e tjerë dhe kjo vazhdon akoma. Njerëzit kërkojnë llogari te shteti dhe nëse ndodh një fatkeqësi natyrore e madhe siç ishte tërmeti, këta prapë drejtohen te shteti. Ndërkohë që po të jesh i siguruar s’ke punë fare me shtetin, ke punë me kompaninë private të sigurimeve. Kjo është një kontratë që është e detyruar gjithkush me përgjigj mbas ligjit.”, tha ai.
Ekspertët e tregut të sigurimeve theksojnë se përballë rreziqeve natyrore që po bëhen gjithnjë dhe më të shpeshta, rritja e ndërgjegjësimit për sigurimin e banesës mbetet një domosdoshmëri për mbrojtjen e pasurisë së familjeve.
Gazetar: A. Hoti
/rtsh.al/