E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sikur të ishim Demokratë!

Sadri Ramabaja/pedagog, universitetit “Iliria” 

-Si funksionuan partitë tona politike në vitet kur Republika e shpallur me Kushtetutën e Kaçanikut (1991) ishte e pushtuar?  Pse toleroheshin “zgjedhjet e lira“  më 22 mars 1998, pak ditë pas masakrës në Prekaz? Me para të kujt u blenë sasi armësh e municioni nga oficerë të armatës serbe në periudha kritike, kur UÇK-së po i mungonin municione e armë, e komandant Ilaz Kodra në Drenicën e Adem Jasharit binte në fushën e nderit, pasi gurët e malit nuk i  bënte dot fishekë, siç do t` i bëjë me të drejtë poeti për ta mbajtur në kujtesë atë dhe djemtë e vajzat më të mira të Kosovës që mbanin me aq krenari uniformën e UÇK-së...  A ka gjasa që segmente të veçanta të mafies serbe, që i kryenin shërbime Shërbimit të Kundërzbulimit ushtarak Serb gjatë luftës dhe pas saj, e që kontrollojnë edhe sot një pjesë të  mirë të Kosovës, përmes impenjimit fiskal të kenë penetruar brenda partive tona politike e për pasojë edhe brenda institucioneve më të larta të Republikës? Prej nga vjen ai mllef i kryeministrave tanë, tek i cilësojnë si “vetëfundosje“ e “faqezinj“ dy nga forcat politike më shpresëdhënëse për bërjen e Shqipërisë? Prej nga kjo gatishmëri për bisedime politike me Beogradin edhe në rrethanat kur strukturat kriminale serbe kontrollojnë një pjesë të Republikës? (...) Dikujt këto pyetje mund t` i duken të jashtëkohshme, por fakti që, as përgjegjësit e Qeverisësë së ekziluar, që përmes taksës së njohur si 3%, që aplikoi në Diasporën tonë të re,  e që pati mbledhur miliona marka, pastaj pati hapur Bankën Dardania dhe shitur më pas si ta kishte trashëguar nga babai... pastaj as segmenti tjetër i LPRK-së, që mbikëqyrte Fondin  “Vendlindja thërret“, nuk kanë dhënë raporte institucioneve të Republikës, madje edhe pas 15 qershorit 2008, ndërkaq një rrjet qendrash tregtare dhe lagje të tëra rrokaqiejsh po ngrihen si kërpudha në Prishtinë dhe gjithandej në Kosovë, flet shumë për keqpërdorimin e parasë së popullit. Këto dhe tema tjera do të ishin materia për ët cilën do ët duhej të hapej debati në Konventën e gjashtë të PDK, dhe jo vetëm aty. Natyrisht po të kishim demokratë. Tek mungesa e dhënies së përgjegjësisë, do të duhej kërkuar motivet e skenarit të dafrungës me emrin Konventë,  që iu servir delegatëve dhe opinionit më 26 janar. Aty në atë moçal të moralit politik e ka  burimin aureola e “shefit“ të shndërruar në sundimtar, por edhe arroganca e ministrit të Brendshëm  para anëtarëve të Komisionit Parlamentar të Sigurisë. Nëse ministri na pat lënë të kuptojmë  se ai as që e kishte idenë se është ulur para përfaqësuesve të sovranit, këta delegatë, vallë  e kishin idenë se ishin në një Konventë partie, që do të duhej përfundimisht të përmendej dhe të viheshin definitivisht në mbrojtje të vlerave të demokracisë!  Apo janë shndërruar në “xhematë“ dhe  “shefin“ e tyre e shohin si mëkëmbës të Kalifatit?!  Prandaj rezonimi i tyre politik ishte shterpë.  Demokracia është institucion që funksionon ose që dështon. Dështimi i demokracisë brenda strukturës partiake, flet më shumë për mungesën e moralit politik për ta mbajtur të gjallë demokracinë. Delegatët në kongreset e partive do të duhej ta kuptonin se janë zë i anëtarësisë, zë i një pjese të popullit që kauzën për liri e ka shikuar të ndërlidhur me atë të demokracisë. Ndërkaq kauza politike e popullit tonë për prosperim ekonomik, është e ndërvarur shumëfish nga demokratizimi i partive tona, nga çlirimi i politikës.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›