Simon Rrota, etnosi, dhe piktura e panjohur
Piktori shkodran, dhe studimi i trevës në punimet e tij, arti i “Rilindjes”, në pikturën e Simon Rrotës
Një nga piktorët më të shquar të qytetit verior, i cili ka nxjerrë në vazhdim breza piktorësh dhe që është marrë shumë me etnosin është Simon Rrota. Profesor Simon Rrota ka jetuar në dy periudha të rëndësishme të gjysmës së parë të shekullit 20-të dhe normalisht ka bërë të mundur ruajtjen në pikturë të karakterit etnik dhe kulturor sidomos të trevës së Shkodrës, por edhe të veriut në përgjithësi. Për Simon Rrotën, vazhdimi në pikturë kryesisht për etnosin, ka shërbyer për të ruajtur jo vetëm origjinalitetin në pikturën e tij të frymëzuar nga ajo e rilindjes italiane, por edhe për të mos rënë në skematizmin ideologjik të kohës në periudhën e parë të realizimit socialist. Në arkivin e pasur të pinakotekës në Muzeun e Shkodrës, janë disa punë të shkëlqyera të prof Simon Rrotës. Ato janë punë që një pjesë janë përmëndur dhe dy prej tyre kopjuar nga shumë piktorë në Shqipëri, por eventualisht ato janë punë të pa para në Shqipëri në mënyrë të saktë, të drejtpërdrejtë, dhe normalisht të pa studiuara ekzaktësisht, sidomos në fokusin e sotëm të mbas viteve 90-të. Në Tiranë janë disa punë të tij të rëndësishme si “Një shtëpi e vjetër shkodrane”, “Derë e vjetër shkodrane”, “Një grua shkodrane” dhe “Shiroka”, por ama në Shkodër, janë disa kryevepra të cilat kanë brënda edhe etnosin, por edhe cilësinë e pikturës dhe stilit të prof Simon Rrotës. Në qoftëse Idromeno ka si kryevepër dy vepra si “Motra Tone” dhe padyshim “Dasma Shkodrane”, pa përmëndur kryeveprën folklorike dhe kostumografike “Dy rrugët”, Simon Rrota ka “Një grua e vejë” dhe “ Një grua e re” të kryera në vitin 1928-të. Të dy këto kryevepra artistike, kanë të bëjnë me artin e madh të cilësisë së aspektit etnos dhe të shprehjes në humanizmin e detajuar. Simon Rrota në dy këto piktura, ka dashur të qëndisë femrën shkodrane në bukurinë dhe krenarinë e saj, veshjen e jashtëzakonshme qytetare shkodrane, në një kompaktësi dhe art pa asnjë lëshim në cilësi. Vizatimi rigoroz i profesor Rrotës, dhe ngjyrat besnike, bashkohen edhe me shprehjen femërore në një unitet të madh artistik. Por është edhe piktura “Një malësor nga Dukagjini”, e cila është bërë në vitin 1935-së, por edhe kryevepra etnos “Në Pazarin e Shkodrës” një nga pikturat më të arritura, dhe akoma jo e vlersuar në cilësinë dhe modernitetin e saj të kohës. Kjo kryevepër është bërë në vitin 1947-të, por ama ka parasysh një kohë më përpara. Aty kostumografia dhe modeli jetësor, marrin jo vetëm ngjyrat, por edhe detajet e një arti që kalon nga detajimi i përpiktë në një sistem perspektiv njerzor, që të bën të ndalesh gjatë. Nga më të pëlqyerat dhe që nuk është vlerësuar në mënyrë të duhur nga kritika gjithmonë e munguar në Shqipëri është dhe një nga kryeveprat etnos dhe ideore të Simon Rrotës. “Malsori tue numrue paret” e cila është një nga pikturat e forta, që të përball me një çast të jashtëzakonshëm etnosi të vërtetën të trevës dhe malësisë së Shkodrës. Porsa ka dalë nga pazari i madh i qytetit, malësori paraqitet në një mjedis të tij, me kalin pas dhe duke mbështetur njërën këmbë në një gurë, numëron parat e fituara. Çasti dhe raporti i ngjyrës, e cila është një ndezje midis të portokallisë në të errët të mbasdites, janë një mrekulli urbane, e përzier me etnos pa fund. Kjo kryevepër është mbaruar nga Simon Rrota në vitin 1947-të. Por edhe në vitin 1950-të vazhdon etnosi me anën e pikturës së titulluar “Një terzi i vjetër në dyqanin e tij”, ku paraqitet një rrobaqepës shkodran, i veshur rregullisht në kostumografi etnike dhe qytetare rreth 50-të vite më përpara. Piktura është vërtetë një foto e realitetit, por forca qëndron te ekspresioni i terziut shkodran, tipik në atë kohë. Simon Rrota, edhe pse ishte një person që kuptonte realitetin, nuk u ngatërrua shumë me të. Ai qëndroi në etnosin e tij të jashtëzakonshëm, dhe nuk arriti të “sëmuret” nga “duart e trasha dhe kustumografia socialiste e asaj kohe”. Simon Rrota, nuk “qëllua” nga regjimi, përkundrazi, është nderuar prej tij, por një arsye është se ai vdiq më përpara se sa kur dikush të kujtohej se kishte qënë i edukuar nga françeskanët, dhe kishte bërë shkollë jashtë shtetit.
Një nga gjërat interesante të Simon Rrotës, dhe që nuk njihet shumë jashtë Shkodrës, është se ai ka bërë punime dhe studime, të cilat janë në Arkivin e Muzeut të Shkodrës mbi punimin e “Mëndafshin dhe Leshin” në Shkodër. Ai bën historikun e këtyre lëndëve të rëndësishme të trevës, dhe ka përmëndur edhe personat, që kanë bërë kultivimin dhe punimin e tyre në Shkodrës, si qyteti parësor në këtë drejtim në trevat shqiptare. Ai ka shpjeguar qartë, se kjo industri, ka qënë e zhvilluar dhe nuk ka dyshim, që ka lënë një trashëgim në këtë dr
ejtim. Por edhe për “linin dhe shqemën” tashmë të harruara, prof Simon Rrota, ka bërë historikun dhe ka lënë edhe në këtë lloj veprimtarie një trashëgimi të pasur. Një nga punimet e rëndësishme të prof Simon Rrotës, është edhe “Shkollat e Vjetra të Shkodrës” dhe aty ai hedh dritë mbi zhvillimin e shkollës në qytetin kulturor në vitet 1850, me mësuesit e parë Gjon Shkrumi, Gegë Bushiqi, Jak Speci, Shor Markja etj etj. Simon Rrota, tregon edhe për shkollat e hapura nga Kushe Micës për femra, dhe sidomos për Tina e Nik Gjergjit. Pastaj ai përmënd edhe shkollat e klerit katolik dhe mejtepet e myslimanëve, duke treguar realitetin shkollor tepër të zhvilluar në Shkodër.
Akoma më shumë ka rëndësi punimi i prof Simon Rrotës mbi “Pikturën dhe piktorët shkodranë të hershëm”. Ai përmënd Idromenon ose Arsenin, Ndoc Martinin si profesionistë dhe vazhdon me Kosto Harapin, Gjon Kurtin, Shuk Çota, por përmënd edhe Gjergj Fishtën, si një piktor jo profesionist, dhe ky ka qënë një guxim i tepruar i tij, duke pasur parasysh “konsideratën” që regjimi kishte për klerikun dhe epikun e madh shqiptar. Ai përmënd edhe Gjok Picin dhe Zef Pukën, por edhe Anton Xanonin dhe Ludovik Kiçin. Normalisht Simon Rrota, ka përmëndur edhe një nga ish nxënësit e tij që vdiq në luftë Jordan Misja, por edhe Zef Kolombin, si një piktor i famshëm dhe i madh shkodran.
Simon Rrota, ka edhe një vizatim tashmë të jashtëzakonshëm në karbon, që është portreti i “Skënderbeut”, një nga më sinjikativët, i bërë një vepër që qindra nxënësit e tij e rivizatonin dhe imitonin. Ai ka qënë një edukator i jashtëzakohshëm e ndjenjës kombëtare, dhe mbetet sëbashku me Kol Idromenon, një nga piktorët që përbëjnë krenari kombëtare për etnosin dhe pikturën e jashtëzakonshme që përbën edhe “Rilindjen” e artit shqiptar. Të gjitha pikturat e tij kanë zgjimin e kombit, dhe lartësimin e ndjenjës të pikërisht kombit dhe kulturës shqiptare. Simon Rrota, natyrisht është një nga piktorët më të lartë të Shqipërisë, dhe punët e tij janë edhe në shumë shtëpi dhe zemra, jo vetëm të shkodranëve dhe shqiptarëve, por edhe në botë.
Besi Bekteshi