E Diel, 1 Nëntor 2026

Superliga Vllaznia siguron fitoren në minutat e fundit

Vllaznia- Laçi 3-1

Vllaznia: Vujadinoviç, Smajli, Petroviç, Sykaj, Popoviç, Gocaj (Djepaxhia 74’), Belisha (Bardulla 62’), Muça, Hasani, Vajushi (Danaj 89’), Sukaj. Tr: M. Josa

Laçi: Vashaku, Doku (Kastrati 40’), Buljan, Xhafa, Milenkoviç, Trajkoviç, Zefi, Shazivari (Sefgjini 76’), Emurllai (Lloga 68’), Marashi, Selimi. TR: N. Dede

Shënues: Sukaj 73’, 80’, 90+2’/ Emurllai 41’

Gjyqtarë: L. Jemini, D. Rexha, E. Barushi (Tiranë)

Kartona të verdhë: Xhafa

Vllaznia e ka nisur mirë sezonin e ri futbollistik, megjithatë, në rradhët e saj dhe të tifozëve kuqeblu ka patur jo pak ankth në ndeshjen e djeshme. Fakti që goli i barazimit është shënuar në minutën e 73’-të e tregon më së miri këtë. Autor i tij është Xhevahir Sukaj, që shënoi të tre golat e këtij takimi, duke e hedhur që tani kandidaturën e tij për “Këpucën e Artë”. Laçianët nga ana e tyre kanë luajtur mjaft saktë dhe deri në minutën e 70-te, ata e kishin ndarë mendjen për ta fituar ndeshjen. Miqtë e kanë kontrolluar lojën në pjesën e parë. Pavarësisht se luhej në Shkodër, ata kanë qenë shumë të rrezikshëm në lojën e tyre dhe sidomos në kundërsulme me Emurllain e Selimin, ishin të frikshëm. Mesfusha e Vllaznisë ndërkohë ishte në një ditë të keqe. Asnjë top për dyshen sulmuese, dhe për rrjedhojë, vendasit nuk krijonin panik në mbrojtjen mike. Muça nuk arrin të ambjentohet në mesfushë me Belishën dhe krijon jo pak boshllëk ndërkohë që edhe krahët me Gocajn e Hasanin nuk janë në lartësinë e duhur. Po ashtu, në mbrojtje, dy malazezët Petroviç dhe Popoviç herë pas here krijojnë pasiguri. Pikërisht në një moment të tillë, në fund të pjesës së parë, Emurllai ka bërë gjithçka, ka dashur në hyrje të zonës shkodrane, ka dalë i vetëm përballë Vujadinoviçit dhe nuk gabon. Dy minuta më vonë, është përsëri Laçi që mund të kishte dyfishuar rezultatin por topi kalon ngjitur me traversë. Në pjesën e dytë, Josa nuk ndryshon asgjë, miqtë ndërkohë kryejnë edhe zëvendësimin e dytë për t’i dhënë freski sulmit, sepse nuk duan të tërhiqen nga avantazhi. Megjithatë mjafton një moment dhe gjithçka prishet në këtë barazpeshë. Një top i gjatë nga e djathta në zonën e Laçit për Sukajn, top që duket se përfundon jashtë vijës fundore, madje ndiqet me sy edhe nga një mbrojtës mik, por Sukaj fut majën e këmbës së majtë në mënyrë krejt të papritur, dhe topi shkon në rrjetë. Ka mjaftuar ky gol që shkodranët të marrin zemër. Shtatë minuta më vonë është Vajushi që tregohet shumë altruist, teksa ka mundësi të godasë vetë portën teksa ndodhet përballë Vashakut, por preferon të pasojë tek Sukaj që vjen nga krahu tjetër, dhe e dërgon me lehtësi topin në rrjetë. Në stadium, kthehet qetësia. Tashmë të gjithë e kanë të qartë se fitorja është në anën e tyre. Por është sërish Sukaj që bën sërish mrekullinë në minutat shtesë, teksa jashtë zone, sheh të dalë nga porta Vashakun dhe e dërgon topin mbi të, top që përfundon në rrjetë. Tregolësh për Xhevahirin që e ka nisur mbarë, për vete dhe për Vllazninë që tregon se do jetë me synime pretedente edhe këtë sezon.

Mirel Josa: Kjo është Vllaznia ime

Trajneri i ekipit të Vllaznisë Mirel Josa u shpreh i kënaqur me rezultatin dhe lojën e ekipit. “Vërtetë shënuam tre gola në pjesën e dytë, duke përmbysur rezultatin nga 0-1, që ishim në disavantazh, por nuk mund të them se suksesi ynë erdhi vetëm në pjesën e dytë. Edhe në pjesën e parë kemi luajtur mjaft mirë, kemi qarkulluar më shumë topin, kemi qenë më të lëvizshëm dhe më të saktë, por jemi ndëshkuar atëherë kur nuk pritej dhe nuk arritëm të finalizonim aksionet tona. Skuadra u përmirësua në pjesën e dytë dhe arriti të zhbllokohej. Mendoj se ka qenë një fitore me vlera. Gjithsesi, ardhjet me vonesë të blerjeve në merkato kanë ndikimin e vet në lojën tonë, pasi ato ende nuk janë harmonizuar. Kjo është vetëm një ndeshje dhe kështu duhet të vazhdojmë edhe në të ardhmen, ndeshje pas ndeshjeje”.

Nevil Dede: Krijuam raste por pësuam gola

Nevil Dede, trajneri i Laçit u shpreh se Vllaznia e meritoi fitoren duke hedhur kritika ndaj ekipit të tij: “Të vjen keq për këtë humbje, për mënyrën se si erdhën ngjarjet. Ne krijuam raste dhe pësuam gola. Skuadrës sime i mungoi përqëndrimi në moment të caktuara. Ne u ndëshkuam dhe e pësuam vetëm nga gabimet tona. Sigurisht që Vllaznia, me këto kualitete që ka, e meritoi fitoren. Objektivi ynë është për të qenë forcë kryesore e këtij kampionati”

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›