Sindikata e Minatorëve protestë para Kuvendit: Pensione dinjitoze, jo elektorale

TIRANË, 5 dhjetor /ATSH/ Sindikata e minatorëve ka protestuar sot para Kuvendit për statusin e minatorit, ndërsa deputetët hynin për seancën plenare.
“Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë (BSPSH) kërkon statusin për minatorët. Pensione dinjitoze, jo pensione elektorale”, shkruhen në pankartat e minatorëve para Kuvendit.
Partia Demokratike ka depozituar në Kuvend një projektligj të nënshkruar nga nëntë deputetë, i cili ka për qëllim të rregullojë statusin e minatorit në Shqipëri, duke siguruar mbrojtje të veçantë sociale dhe përmirësimin e kushteve të punës për këtë grup profesional, për shkak të natyrës së rrezikshme dhe specifike të punës që kryejnë.
Projektligji sipas Partisë Demokratike është një shtysë dhe presion për qeverinë dhe mazhorancën socialiste, që të plotësojë një premtim të pambajtur. PD në projektligj kërkon që paga e minatorëve të jetë jo më pak se dyfishi i pagës minimale në vend. /j.p/