E Diel, 1 Nëntor 2026

Sindikata e Punonjësve të Universiteteve mbështet protestat e studentëve

Sindikata e e Punonjësve të Universiteteve u bëri thirrje të enjten pedagogëve dhe punonjësve akademikë që të mbështesin protestat e studentëve, ndërsa fajësoi mungesën e reagimit institucional ndaj kërkesave qytetare për përshkallëzimin e tensioneve dhe përplasjet me policinë në Tiranë.

Në një deklaratë publike, sindikata dënoi përdorimin e dhunës nga forcat e rendit ndaj protestuesve dhe u kërkoi autoriteteve të respektojnë të drejtën kushtetuese të tubimit paqësor.

“Sindikata shpreh indinjatën e saj për përdorimin e dhunës nga forcat e rendit ndaj protestuesve dhe u bën thirrje autoriteteve përgjegjëse për vetëpërmbajtje”, thuhet në deklaratë.

Sipas sindikatës, përshkallëzimi i protestave vjen pas 135 ditësh mobilizimi qytetar, gjatë të cilave kërkesat e protestuesve dhe studentëve nuk kanë marrë përgjigje nga institucionet.

Organizata kritikoi veçanërisht Ministrinë e Arsimit, përpara së cilës studentët janë mbledhur gjatë ditëve të fundit, duke theksuar se edhe kërkesat e personelit akademik kanë mbetur pa përgjigje.

“Në të njëjtën derë ka trokitur edhe Sindikata e Universiteteve, me shkresë zyrtare që në mars të këtij viti, dhe as ne nuk kemi marrë përgjigje”, deklaroi sindikata.

“Heshtja që studentët hasën sot në rrugë është e njëjta heshtje që personeli akademik has prej muajsh në korrespondencën institucionale”, shtoi ajo.

Sindikata u bëri thirrje pedagogëve, kërkuesve shkencorë dhe punonjësve të universiteteve që të solidarizohen me studentët, duke i cilësuar kërkesat për arsim cilësor dhe kushte dinjitoze studimi e pune si shqetësime të përbashkëta të komunitetit akademik.

Ajo kërkoi nisjen e menjëhershme të një dialogu mes qeverisë, studentëve dhe personelit akademik, duke paralajmëruar se mungesa e zgjidhjeve mund të thellojë mosbesimin ndaj institucioneve.

“Nëse konfigurimi aktual politik nuk arrin të marrë përsipër zgjidhjen e problemeve të ngritura nga studentët, pedagogët dhe qytetarët, atëherë duhet të hapet rruga për zgjidhje politike që mundësojnë kapërcimin e krizës”, thuhet më tej në deklaratë.

Reagimi i sindikatës vjen pas protestave të studentëve në Tiranë, të cilat u shoqëruan me përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe policisë, përdorimin e gazit lotsjellës dhe autobotëve me ujë, si dhe arrestime dhe persona të lënduar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›