Sindikata e Punonjësve të Universiteteve, pesë kërkesa publike në mbështetje të studentëve

TIRANË, 20 tetor/ATSH/ Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH) ka dalë sot me pesë kërkesa publike në mbështetje të studentëve dhe protestave që po zhvillohen në vend.
Përmes një deklarate, SPUSH i bën thirrje kryeministrit Edi Rama të japë dorëheqjen dhe të krijohet një qeveri kujdestare për të garantuar stabilitetin institucional dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve.
Pedagogët kërkojnë gjithashtu ndalimin e dhunës ndaj protestuesve, respektimin e të drejtave të qytetarëve dhe reagimin publik të përfaqësive diplomatike në Tiranë.
1. I bëjmë thirrje kryeministrit Rama që të dëgjojë kërkesat e studentëve dhe t’i hapë rrugë paqëtimit të vendit. Kërkojmë dorëheqjen e tij dhe krijimin e një qeverie kujdestare, e cila të sigurojë stabilitetin institucional, qetësimin e situatës dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve.
2. I bëjmë thirrje policisë dhe aktorëve të tjerë të ruajtjes së rendit që të ndalojnë menjëherë çdo akt dhune ndaj studentëve dhe të refuzojë të zbatojë urdhëra të paligjshëm. Mos harroni se ata që ju japin këto urdhra sot, nesër do t’i mohojnë, ndërsa përgjegjësia do të mbetet mbi ju që jeni dokumentuar nga filmimet e qytetarëve dhe mediave.
3. I bëjmë thirrje përfaqësive diplomatike në Tiranë që të ndërhyjnë publikisht për respektimin e të drejtave të qytetarëve, njësoj siç respektohen të drejtat e qytetarëve në vendet tuaja.
4. I bëjmë thirrje protestuesve që të mbrojnë bizneset dhe pronën publike e private për t’i hequr çdo justifikim qeverisë për ushtrimin e dhunës dhe delegjitimimin e protestës.
5. I bëjmë thirrje qytetarëve të Tiranës, që njësoj si në 1991 t’u bashkohen studentëve për të pamundësuar dhunën ndaj tyre. Asnjë qeveri nuk ka mjaftueshëm policë e gaz lotsjellës për një popull të tërë.
Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH) po zhvillon sot një marshimin paqësor në mbështetje të studentëve, të cilët po protestojnë prej 7 ditësh në Tiranë.
/k.s/j.p/