Sindikatat japin ultimatumin
Në njoftim thuhet se minatorët duhet të kontaktojnë administratën e minierës, në sektorin të cilit i përkasin, për të nisur punën.
Me paraqitjen në administratën e minierës, minatorëve do t’u njihen të gjitha të drejtat që rrjedhin nga oferta e bërë publike nga ACR.
Kompania ACR i bën thirrje minatorëve të mos bien preh e kërcënimeve të Kol Nikollës dhe disa pasuesve të tij dhe i siguron ata se mbrojtja e tyre është e garantuar.
Në të njëjtën kohë, drejtuesi i sindikatës Kol Nikolla ka deklaruar se minatorët do t’i rikthehen grevës së urisë nëse nuk marrin përgjigje deri të hënën.
“Greva sot dhe nesër do vijojë me këtë ritëm. Të hënën, nëse kërkesat tona nuk janë miratuar, ne do ta përshkallëzojmë grevën duke përdorur të gjitha mjetet demokratike”, ka deklaruar Nikolla.
Pas përleshjeve të ndodhura paraditen e së enjtes, kreu i sindikatës ka akuzuar drejtuesit e policisë së qarkut.
“Akuzojmë drejtpërdrejtë drejtorin e policisë për dhunë, bashkë me forcat e ndërhyrjes së shpejtë që janë në vartësinë e tij”, ka shtuar Nikolla.