Sindikatat të pakënaqura me rritjen e pagave, paralajmërohen protesta

PRISHTINË, 1 shkurt /ATSH/ “Lëmoshë” e “fushatë elektorale”, kështu po cilësohet rritja e pagave prej 55 eurosh për punëtorët e sektorit publik në Kosovë. Disa federata sindikale në vend shprehen të pakënaqura me këtë ngritje, duke vlerësuar se kjo rritje është e pamjaftueshme. Ndërsa, një prej sindikatave më të mëdha në vend, ajo e shëndetësisë, ka shprehur pakënaqësitë e tyre me këtë rritje dhe paralajmëron grevë dhe protestë në ditët në vijim, raporton KosovaPress.
Pavarësisht se pagat e muajit janar u ekzekutuan me rritje prej 55 euro, SBASHK-u thotë se kjo qeveri do të ndëshkohet me votë në ditën e zgjedhjeve më 9 shkurt.
Sekretari i përgjithshëm i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Ymer Ymeri e quan nënçmuese rritjen prej 55 eurove bruto.
Kryetarja e Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës, Tevide Imeri teksa shprehet e pakënaqur me këtë rritje të pagave, e këtë e quan “lëmoshë”, pasi sipas saj, nuk është se zgjidh ndonjë problem.
Imeri paralajmëron grevë dhe protesta deri në realizimin e kërkesave të tyre.
Edhe, Muharrem Beka nga Sindikata e Zjarrfikësave shprehet i pakënaqur me këtë rritje.
Të diskriminuar nga kjo rritje janë punëtorët e sektorit privat, thotë kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi. Madje, ai thotë se edhe paga minimale që e ka përcaktuar qeveria nuk është duke u zbatuar.
Sipas tij, nga pakënaqësitë për paga dhe të drejta për punë, 200 mijë qytetarë janë larguar nga Kosova.
Qeveria e Kosovës, pesë muaj më parë mori vendim që paga minimale të ishte 350 euro bruto në muaj. Ky vendim sipas Qeverisë ka hyrë në fuqi më 1 tetor 2024, ndërsa kryeministri Albin Kurti pati theksuar se nga ky vendim do të preken mbi 150 mijë të punësuar, kryesisht në sektorin privat.
Ekzekutivi vitin e kaluar kishte vendosur, që nga janar i këtij viti të rriste pagat për punonjësit e sektorit publik për 55 euro në muaj, ndërsa nga korriku do të ketë rritje për 110 euro.
Shefi i ekzekutivit ishte shprehur se vlera e koeficientit mbetet 110 euro, mirëpo sipas tij do të rritet sasia e koeficientëve për një njësi.
Përveç kësaj me ligjin për buxhetin 2025 që është publikuar më 12 dhjetor 2024 në Gazetën Zyrtare pas miratimit në dy votimet në Kuvendin e Kosovës, përkatësisht në nenin 33 vendoset për të gjithë të punësuarit në sektorin publik rritje të pagave për 55 euro nga janari, dhe për 55 euro tjera nga muaji korrik 2025.
/KosovaPress/