E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Trajnohen 96 monitoruesit e fushatës zgjedhore të 11 majit

TIRANË, 1 shkurt /ATSH/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve trajnoi sot 96 monitoruesit e fushatës zgjedhore të zgjedhjeve për Kuvend të datës 11 maj 2025.

Të ndarë në dy grupe, monitoruesit e përzgjedhur nga 12 qarqet e vendit, u trajnuan për detyrat, të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre ligjore, në zbatim të Kodit Zgjedhor dhe akteve të KQZ-së në fuqi.

Programi i trajnimit të tyre kishte në fokus veprimtaritë publike të institucioneve gjatë periudhës katër muaj para datës së zgjedhjeve dhe fushatën zgjedhore.

Gjithashtu, u trajtuan formatet e standardizuara të raportimit, mënyra e raportimit, raportimi në mënyrë elektronike në platformën e ngritur nga KQZ për financimin e partive politike (PERF), pasi monitoruesit do të raportojnë elektronikisht në kohë reale gjatë fushatës zgjedhore.

Monitoruesit po mbikëqyrin respektimin e detyrimeve ligjore nga ana e subjekteve zgjedhore dhe veprimtarinë e institucioneve publike, me qëllim parandalimin e keqpërdorimit të burimeve publike.

Trajnimi u realizua në bashkëpunim me organizatën Qëndresa Qytetare dhe Institutin Demokratik Amerikan (NDI Albania) dhe mbështetur nga Ambasada britanike në Tiranë.

1 nga 17

/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›