Sindroma e syrit të sforcuar digjital, mjekët: Vjen nga qëndrimi i zgjatur para ekraneve. Ul produktivitetin në punë

Nëse keni një profesion që ju detyron të qëndroni mbi 7 orë në ditë përpara ekraneve atëherë ju jeni i rrezikuar seriozisht nga “Sindroma e Syrit të Sforcuar Digjital”. Sipas mjekëve, kjo sindromë shoqërohet me simptoma të dukshme të cilat ndikojnë fort në cilësinë e jetës dhe në uljen e produktivitetit në punë.
Të shohësh mbi ekrane për një kohë të gjatë, mund të prekesh nga “sindroma e syrit të sforcuar dixhital” që po haset për herë të parë pas një dekade kryesisht të punonjësit e bankave dhe call-center-ve dhe shfaqet me disa simptoma.
“Muskujt e syve bëjnë akomodim të sforcuar gjatë qëndrimit në ekran dhe quhet sindroma se syrit të sforcuar dixhital sepse këta muskuj lëvizje të sforcuar me orë të tëra, të zgjatura, mbi 7 orë .Shenja e parë është syri I thatë që shoqërohet me përpëlitje të shpeshtë , kanë lëvizje të pavullnetshme të kapakëve sepse duan të bëjnë lubrifikim të xhamit të syrit.70% e punonjësve ndjejnë dhimbje të gjysmës së kokës ose kanë atë që quhet migrena oftamologjike”, tha okulistja Zana Zhuka.
Syri i sforcuar digjital, nëse nuk trajtohet në kohë mund të shkaktojë probleme të forta në shëndet.
“Dhimbje kronike koke, përkeqësim të shikimit të syrit, përkeqësim të cilësisë së gjumit deri edhe shëndet mendor”, thekson okulistja.
Mjekja rekomandon xhamat mbrojtës për thyerjen e rrezeve të dritës se ekraneve dhe pushime të shpeshta
“Duhet të paktën çdo një orë të bëjnë 10 minuta pushim dhe shikimi duhet të jetë i fokusuar jo brenda mureve të zyrës, por përtej dritares në mënyrë që të ketë fushëpamje”, thekson Zhuka.
Në Shqipëri nuk ka të dhëna sa janë këto ankesa, por në SHBA këto simptoma po shkaktojnë 51 bilion dollar nga humbja e produktivitetit në punë.
/rtsh/