E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Sinjale pozitive nga Bullgaria, Rama: U shpëtua fytyra e BE! Meta: I hap rrugë negociatave

Miratimi i projektligjit në parlamentin bullgar që i hap rrugë heqjes së vetos Maqedonisë së Veriut është cilësuar një sinjal pozitiv nga kryeministri Edi Rama dhe presidenti Ilir Meta.

Kryeministri Rama e ka cilësuar vendimin si shpëtim të fytyrës së Bullgarisë dhe BE-së.

“Sapo mora një telefonatë nga Boyko Borissov. Nuk mund ta falënderoja sa duhet për mendimin e tij të mirë që më thirri, por mund ta falënderoja për rolin e tij përcaktues në heqjen e VETO-s në parlament! Mik i vërtetë, lider i vërtetë. Partia e tij GERB dhe të tjerët shpëtuan fytyrën e Bullgarisë dhe BE-së! Tani BE duhet të veprojë shpejt”, shkruan Rama.

Edhe presidenti Ilir Meta tha se ky është një lajm i shumëpritur që i hap rrugë nisjes së negociatave për anëtarësim Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Më në fund erdhi lajmi i shumëpritur nga Bullgaria mike, që ka qenë gjithmonë një mbështetëse e vendosur e procesit tonë të anëtarësimit. Votimi nga Parlamenti bullgar për heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut, hapi rrugën për nisjen e negociatave të anëtarësimit për të dyja vendet tona. Në pritje të lajmit tjetër nga mbledhja e Këshillit Europian, që vijon ende”, shkruan Meta.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›