Sinqeriteti i pakontrolluar i Berishës!
Nga Arben Manaj
Ai duhet falenderuar tashmë, pasi ishte shumë i sinqertë në parlament dhe i errësuar nga urrejtja ndaj kundërshtarit, si padashur dha orientimet se cilët do duhet të jenë ata që ua ka prerë fletë-arrestin pas heqjes se imunitetit.
Fjalimi dhe shkumëzimi i tij na e lehtësoi shumë punën neve të medias që përpiqemi të lexojmë pas ose mes rreshtave dhe deklaratave të politikanëve.
Por sot Berisha na u gjend pranë!
Tashmë ska pikë dyshimi se ai mezi e pret heqjen e imuniteteve për të filluar makartizmin ndaj kundërshtarëve politikë, jo vetëm jashtë gardhit, por edhe brenda gardhit të vetë politik në këtë vit elektoral, ku do ndahet shapit dhe sheqeri i tij politik.
Replikat e tij në seancën e sotme në parlament ishin një sinjal i qartë i asaj që bluan në mendjen e tij në variantin vetëm në mos më ardhtë ajo ditë.
Bamirësit e Topit kanë ikur dhe tashmë topin dhe gjyqet i kam unë dhe si i tillë unë marr nishan, ishte nënteksti i tij. E për të pasur më shumë Nishan, pritet ti vijë në ndihme edhe Kryeprokurori e Kryeshiksi i ri.
Vetëm kjo seancë mjafton për të kuptuar vizionin e tij për shtetin dhe sundimin e tij pas rikapjes së shtetit për herë të dytë. Por kësaj here më keq se ai i para 97-ës. Pasi kësaj here, përveç institucioneve ka kapur keqas në masë të frikshme edhe atë të medias, e shoqëruar kjo edhe me para formale dhe jo fomale më të shumta në dispozicion të këtij misioni, sesa në kohën e mbretërimit të parë presidencial.
Kjo seancë falenderuese e Berishës duhet të jetë një kambanë tjetër, në këtë muaj Ramazani, jo për ata opozitarë, që edhe mund ta meritojnë hetimin për korrupsion, përveç të korruptuarve të identifikuar, por të fjetur të pushtetit, por për opozitën e ndershme dhe çdo njeri të përgjegjshëm, për fatet e rrezikuara të shtetit të së drejtës në Shqipëri.
Kjo kambanë duhet të bjerë për të qenë më të vendosur në vendosjen sa më parë të filtrave kushtetues ndotjes politike që Berisha dhe autopusheti i tij i shkaktojnë prej vitesh Shqipërisë, që nesërpasnesër të mos jemi Rusia, Bjellorusia apo Azerbajxhani i Ballkanit.
Seanca e sotme sërish falenderuese rikonfirmoi se Berisha e di se e ka shumë të vështirë marrjen e statusit në vjeshtë dhe po përgatit shpëlarjen e truve të të tijëve më shumë se të të tjerëve, se fajin për herë të tretë e ka sërish opozita.
Ai po kërkon alibi dhe mendon se e ka gjetur, për të keqen e vet dhe të vendit. Por vetëm naivet nuk e kuptojnë se ky nuk është rasti.
Nëse do ishte sikur edhe një fije i vërtetë ky argumentim i Berishës do ishte vetëvrasëse për opozitën të mos miratonte heqjen e imunitetit.
Por opozita sot më shumë se kurrë duhet të luaj rolin e saj historik, nëse kërkon besimin e shqiptarëve. Këtë do duhet ta bënte çdo opozitë edhe nëse Berisha do të ishte hipotetikisht opozitar dhe evropianist në shpirt.
Opozita nuk ka pse provon të kundërtën e dështimit të Berishës duke u thelluar dhe i hapur rrugën putinizmit në Shqipëri.
Shqipëria ka shumë gjasa sot, të mos e marr statusin edhe pse ka sebep 100 vjetorin, jo për imunitetin, sesa për mosdëshirën dhe paaftësinë e plotësimit të kushteve të tjera.
Nëse Berisha dhe koalicioni në pushtet arrin ti plotësojë me shpejtësinë e Usain Bolt të gjitha kushtet e tjera deri në momentin e shqyrtimit të kërkesës nga Brukseli, do të kishte qenë i larë dhe i nderuar përpara syve të shqiptarëve, dhe ai do vdiste për atë shans, por ai e di se nuk ka shanse ti plotësojë, ndaj kërkon sebepin e radhës.
Mbetet të shihet reagimi i Brukselit nëse nuk miratohet heqja e imunitetit dhe plotësimi ose mosplotësimi i kushteve të tjera.
Opozita me këtë veprim e ka vënë përpara një sfide të madhe Berishën për të parë sesa kushte të tjera do plotësoj përveç imunitetit.
Por njëkohësisht më në fund ka vënë edhe Evropën, e cila do të duhet të japë ose jo statusin me kushtet e tjera të plotësuara, pa imunitetin apo me kushtet e paplotësuara, sërish pa imunitetin.
Argumentimi nga Evropa pro ose kundër i statusit ose mos-statusit të Shqipërisë do të jetë prova ose sprova e seriozitetit të saj në pranimin ose jo të anëtarëve të rinj në gjirin e saj me gjithnjë e më pak qumësht.
E nëse Berisha i plotëson të gjitha kushtet e tjera dhe i lë në derë opozitës imunitetin, atëherë opozita edhe mund ta meritojë impunitetin nga elektorati, nëse nuk i shpjegon dhe rishpjegon arsyet e vendimit të saj politik.
