Çfarë nuk duhet të ndodhë sot?
Nga Olsi Bakalli
Sot data shënon 6 gusht. Një datë e shumëdëgjuar për ditë me radhë, e në po kaq ditë zë hapësirat e edicioneve kryesore të lajmeve. Një datë mistike për shumë qytetarë të thjeshtë, ku në vend të lajmeve në këtë pikë të zhegut, në mungesë të plazhit, mezi presin të shohin ndonjë film artistik a show zbavitës (jo nga TVSH-ja), e jo të dëgjojnë vazhdimisht të përsëriturin refren.
Ti duhet ta votosh heqjen e imunitetit, ky është një kusht, ti po e pengon, Evropa e kërkon. Këto janë fjalët që aq shpesh i dëgjojmë e që të thjeshtët bashkëkombas as që duan ti kuptojnë.
Por çdo të thotë fjala imunitet?
Biologjikisht kemi të bëjmë me një veti të organizmit për tu mbrojtur nga disa mikrobe a sëmundje ose për tu mos u dëmtuar nga disa helme: ndërsa ai i lindur a i fituar është e drejtë e një personi (p.sh:përfaqësues i huaj) për të mos ju nënshtruar ligjeve të vendit; e drejtë e veçantë e një deputeti a personi të zgjedhur për të mos u arrestuar a ndjekur penalisht.
Opa, te kjo e fundit le të ndalemi. Ky na qenka halli?!
Jo, nuk ka pse të jetë. Deri më sot shqiptarët nuk kanë njohur këtë koncept të imunitetit. Nuk ka se si sepse kanë parë mikrobe, sëmundje e helme, të kamufluara në fytyra engjëllore njerëzore, të gjatë e të shkurtër, shtathollë e rrumbullakë, dhëmbëzbardhur e protezëvënë, me syze halli e dielli, të mbrohen jo vetëm nga organizmi i lodhur, mosfunksional, i kalbur, por edhe nga një organizim i tërë i sistemit juridik që supozohet të bëjë të drejtën në këtë vend.
Cilido qytetar i zakonshëm nuk e sheh problemin te heqja e imunitetit të njërit apo tjetrit, por te njëri apo tjetri gjykues i të paimunitetit rob.
Hapja e rrugës drejtësisë për të investiguar, ndjekur, arrestuar a gjykuar zyrtarë të lartë nuk mund të jetë zgjidhje për një sistem të së drejtës, për mirëfunksionim të rendit demokratik a respektim të ligjit organik.
Kjo më ngjason me sloganin e duarve të pastra, unë nuk jam si të tjerët, qytetarët nuk janë si unë, ata janë të papunë, ekonomikisht të rrënuar, pafundësisht të skllavëruar, të lodhur, të zhgënjyer, të pafuqishëm e të pangishëm për të dëgjuar data e ditë, e prit një muaj e prit një vit deri sa të na dhurojnë statusin mit.
Ndaj sot nuk i duhet plotësuar qejfi gruas për të ndërruar kondicionerin (megjithëse lekët i kemi bërë e markën e kemi zgjedhur), ndërsa dyert e dritaret janë kalbur nga mosdenjimi i të qëndruarit për një kohë të gjatë në atë shtëpi, a linjë, për të fituar diçka të mekohë merituar.
