E Diel, 1 Nëntor 2026

Siria pranon që të dorëzojë armët kimike. A do e ndalojë kjo luftën?

1(E PERDITESUAR)- Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë një ultimatum Sirisë sot, duke e paralajmëruar se mund të shmangë një sulm ushtarak në rast se brenda një javë dorëzon të gjitha armët kimike.

Këtë e bëri të ditur Sekretari i Shtetit, John Kerry, gjatë një konference për shtyp me homologun britanik, William Hague.

Kerry tha se nuk ka asnjë dyshim se Bashar al- Assad është përgjegjës për sulmin kimik të 21 gushtit në Damask, ku gjetën vdekjen mbi 1400 njerëz.

Ne e dimë se nga erdhën raketat dhe kush i qëlloi, tha Kerry, duke akuzuar se regjimi ishte përpjekur për katër ditë që të zhdukte gjurmët.

Edhe pse Kerry tha se Siria mund të dorëzojë armët kimike brenda një jave, ai tha se kjo nuk do ndodhë, pasi Assad nuk do e bëjë një gjë të tillë.

Një thirrje të ngjashme ka bërë edhe aleati i madh i Sirisë, Rusia.

Ata i kanë kërkuar Sirisë që të vendosë armët kimike nën kontrollin ndërkombëtar, që të shmangë në këtë mënyrë sulmin amerikan.

Ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov tha se armët kimike më pas do shkatërrohen.

Lavrov i bëri komentet pas takimit me homologun e tij sirian.

Ai tha se pret një përgjigje të shpejtë nga Siria.

E në fakt përgjigja e Damaskut ka qenë e shpejtë.

Ata thonë se janë dakord që të vënë armët e tyre kimike nën kontrollin ndërkombëtar.

Nuk dihet nëse ky qëndrim do e ndalë luftën, ndërsa SHBA ka deklaruar se sulmi ajror do jetë shumë i kufizuar.

Ndërkohë presidenti sirian përsëriti sot se SHBA nuk ka asnjë provë që të tregojë përdorimin e armëve kimike nga qeveria.

Ai i bëri këto deklarata për televizionin amerikan CBS.

Assad theksoi se Siria bashkë me aleatët e saj do hakmerren nëse sulmohen nga Perëndimi.

Assad nuk e konfirmoi nëse Siria ka armë kimike, por tha edhe nëse ekzistojnë, ata janë nën një kontroll të centralizuar.

Media të ndryshme raportojnë se gjeneralët kishin të paktën katër muaj që i kërkonin Assad që të përdorte armët kimike./ep

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›