E Enjte, 5 Nëntor 2026

Situata e zjarreve, AKMC: 23 vatra në 24 orët e fundit, 19 u izoluan

TIRANË, 27 korrik/ATSH/ Gjatë 24 orëve të fundit sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile janë raportuar 23 vatra zjarri, nga të cilat është bërë i mundur izolimi i 19 vatrave.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ndau në rrjetet sociale të dhënat e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile lidhur me situatën e zjarreve në vend.

Sipas AKMC-së, sot mbeten aktive vatrat në:vendgrumbullimin e mbetjeve të bashkisë Vlorë për të cilin janë angazhuar kapacitetet në nivel qarku të mbështetura nga kapacitete të pushtetit qendror dhe subjekte private.

Vatra e zjarrit në fshatin Malecaj të bashkisë Lezhë, ditën e sotme vijon me intensitet të ulët.

Gjatë mbrëmjes së kaluar është bërë e mundur shmangia e rrezikut të kalimit të zjarrit në lagjet Shqut dhe Ish Kampi të këtij fshati.

Po në këtë bashki zjarri në fshatin Torovicë është drejt shuarjes përfundimtare. Po vijojnë operacionin strukturat e pushtetit vendor të mbështetura nga FA.

Është aktive vatra e zjarrit në fshatin Kameras, Bashkia Durrës për të cilin janë angazhuar ditën e djeshme kapacitetet e qarkut Durrës dhe Tiranë duke bërë të mundur shmangien e rrezikut për kalimin e zjarrit në sipërfaqe me pyll dhe ullinj shekullore.

Sot janë angazhuar shërbimi zjarrfikës dhe forca vullnetare.

Zjarri në fshatin Zogaj, bashkia Tropojë për të cilin ditën e djeshme kanë punuar Forcat e Armatosura, strukturat vendore të mbështetura nga një Helikopter I KFOR. Vijojnë edhe ditën e sotme operacionin për vënien nën kontroll të zjarrit dhe shuarjen e tij.

Situata në bashkitë e qarqeve të tjera të vendit ditën e sotme paraqitet relativisht e qetë.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe FA do të vijojnë të jenë në ndihmë të komunitetit në bashkëpunim me pushtetin vendor.

/k.s/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›