Basha: Do dërgojmë në Kushtetuese ndryshimet në Kodin Zgjedhor

TIRANË, 27 korrik/ATSH/ Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, tha sot se po përgatiten për të çuar në Gjykatën Kushtetuese votimin e djeshëm në Kuvend për mbylljen e listave.
Gjatë një konference për shtyp, Basha tha se “ekipi i juristëve në bashkëpunim dhe me ekspertë të njohur të së drejtës Kushtetuese vlerëson antikushtetushmërinë e aktit të djeshëm dhe po përgatit draftin e dërgimit të kësaj çështje në Gjykatën Kushtetuese”.
Basha, u shpreh se revolta e qytetarëve nuk ka qenë kurrë kaq e madhe ndaj pazarit Rama-Berisha.
“Rama dhe Berisha e kanë hedhur hapin e tyre. Dje u rreshtuan të kapur dorë për dorë në një front kundër ndryshimit. Ata duan ta mbajnë Shqipërinë kështu siç e kanë bërë nga karriget e pushtetit që kanë mbajtur”, tha Basha.
“Një pazar i trupshëm, që nuk do të harrohet as falet, sepse kurrë nuk ka qenë më e qartë ndarja midis një kaste të mbyllur që kërkon ta mbaj vendin peng dhe shumicës dërrmuese të qytetarëve që kërkojnë një ndryshim të vërtetë”, shtoi ai.
/m.m/