Poker dhe baste online në lokal, arrestohet 35-vjeçari në Durrës

Goditet veprimtaria e paligjshme e lojërave të fatit në Durrës. Policia bën me dije se një 35-vjeçar është arrestuar pasi mori me qira pa kontratë lokalin me qëllim për të zhvilluar në mënyrë të paligjshme lojërat e fatit.
Po ashtu, nën hetim është vënë dhe pronari i lokalit pasi nuk ka lidhur kontratë me administratorin e biznesit. Policia ka sekuestruar tavolina pokeri, çipas dhe 15 aparatë celularë.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit Durrës, në kuadër të operacionit policor të koduar “Fati i lojërave”, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, ushtruan kontrolle në lokale dhe ambiente të ndryshme që dyshohej se përdoreshin për organizimin e lojërave të fatit. Si rezultat i kontrolleve, u evidentua një rast i kësaj veprimtarie të paligjshme. Në vijim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë shtetasi F. T., 35 vjeç, banues në Durrës, pasi në një lokal në lagjen nr. 14 dyshohet se organizoheshin lojëra fati, nëpërmjet tavolinave të pokerit dhe aparateve celularë.
Gjatë kontrollit të aparateve celularë dhe të lokalit, u konstatuan faqe të ngjashme me ato të basteve sportive dhe tavolina pokeri. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan tavolina pokeri, çipsa dhe 15 aparate celularë. Ndërkohë, u procedua penalisht shtetasi M. M., 24 vjeç, për veprën penale “Vënia në dispozicion e lokalit për zhvillim të paligjshëm të lojërave të fatit”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftim.
/rtsh.al/