Situata e zjarreve në vend, Komiteti i Mbrojtjes Civile ndan planin e masave

Në mbledhjen e Komitetit të Mbrojtjes Civile, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, së bashku me ministrin e Brendshëm, Ervin Hoxha dhe ministren e Shëndetësisë, Albana Koçiu kanë dhënë udhëzimet përkatëse për të mobilizuar zinxhirin e reagimit të emergjencave civile në nivel kombëtar, kryesisht mbi përballimin e situatës së zjarreve.
Teksa vendi pritet të përballet me temperatura të larta dhe përgjatë ditëve të fundit është hasur me vatra zjarri në zonat e ndryshme të vendit, Komiteti i Mbrojtjes Civile ka ndarë planin e masave “me të gjithë titullarët e institucioneve të përfshira në mekanizmin e mbrojtjes civile, prefektët e qarqeve dhe kryetarët e Bashkive më të ekspozuara ndaj zjarreve”
Plani i masave nis që me rritjen e nivelit të gatishmërisë së trupave vendore në dispozicion të prefektëve; rritje e vigjilencës dhe monitorim i pandërprerë i terrenit në çdo bashki për raportim të menjëhershëm; pozicionim i forcave në zonat me risk për të shkurtuar kohën e reagimit; ndërhyrja nga ajri do të vijojë me përparësi në zonat e banuara dhe zonat e mbrojtura si dhe bashkërendim me mekanizmin Evropian të Mbrojtjes Civile për kapacitete shtesë.
Komiteti i Mbrojtjes Civile është autoriteti më i lartë i përhershëm që bashkërendon veprimtaritë dhe masat ndërinstitucionale të strukturave dhe të gjitha subjekteve të përfshira në mbrojtjen civile, duke përfshirë Forcat e Armatosura, Policinë e Shtetit, Urgjencën Kombëtare, Shërbimet Pyjore, Zonat e Mbrojtura, Autoritetet e Transportit; Meteorologjinë etj.
/rtsh.al/