E Hënë, 2 Nëntor 2026

Situata e zjarreve në vend, shuhen 8 vatra, 4 mbeten aktive

Ministria e Mbrojtjes ka informuar të mërkurën pasdite mbi situatën e zjarreve në të gjithë vendin. Sipas të dhënave të fundit të orës 19:20, nga 12 vatra zjarri të raportuara gjatë ditës, 8 prej tyre janë shuar plotësisht, ndërsa 4 mbeten ende aktive.

Pas një pune intensive të forcave operacionale në terren, u bë e mundur shuarja e zjarreve në këto zona:

Fushë-Milot (bashkia Lezhë)

Gërhot (bashkia Gjirokastër)

Gëziq (bashkia Mirditë)

Kallarat (bashkia Himarë)

Borizane (bashkia Krujë)

Mesopotam (bashkia Finiq)

Zenisht (bashkia Mat)

Kutal (bashkia Përmet)

Vatra zjarri aktive dhe situata në terren

Aktualisht, katër vatra zjarri mbeten aktive dhe janë nën monitorim:

Qarku Dibër- Zjarri është aktiv në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, brenda Parkut Kombëtar të Lurës. Puna e 30 forcave operacionale është vështirësuar nga terreni shkëmbor dhe era e fortë. Deri tani, janë djegur rreth 200 hektarë pyll me pisha dhe ahu. Për ndihmë është angazhuar edhe helikopteri “Cougar” i Forcave të Armatosura.

Bashkia Bulqizë- Një zjarr i riaktivizuar në “Malin e Peladhisë” po vazhdon të zhvillohet ngadalë në dy vatra, që po lëvizin në drejtim të fshatrave Vlashaj dhe Krajkë. Zjarri ka përfshirë rreth 30 hektarë me shkurre dhe barishte.

Qarku Shkodër- Në “Qafën e Lacit”, bashkia Vau-Dejës, një vatër zjarri po djeg sipërfaqe me lisa dhe shkurre. Terreni malor dhe era e fortë po e bëjnë situatën të vështirë për 8 zjarrfikësit dhe 5 forcat pyjore në terren. Zjarri ka përfshirë rreth 12 hektarë.

Qarku Fier- Në fshatin Drenovë, një zjarr i riaktivizuar ka djegur rreth 110 hektarë me shkurre dhe pyll pishe. Më shqetësues është raportimi se janë djegur edhe mbi 1000 rrënjë ullinj.

Në operacionet e shuarjes së zjarreve janë angazhuar gjithsej 21 automjete zjarrfikëse dhe 277 forca operacionale, të mbështetura edhe nga helikopteri “Cougar”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›