E Hënë, 2 Nëntor 2026

Situata gripale në vend, problemet me mushkëritë të shkaktuara nga gripi stinor

Gripi është një sëmundje respiratore, e cila mund të ketë pasoja serioze, veçanërisht për mushkëritë.

Situata virale e ngarkuar në muajt e parë të vitit për disa persona ka kaluar me komplikime, duke prekur sistemin respirator.

“Problematikat janë nga më të lehtat, një rrufë e lehtë, deri në pneumoni, bronkopneumoni dhe komplikacione të rënda tek të sëmurët me sëmundje kardiovaskulare, sëmundje renale, diabet, të cilët e kalojnë shumë më keq se personat e shëndetshëm. Marrja e antibiotikëve dhe shtrimet në spital për këto raste kanë qenë vendimtare, mbasi nuk kanë mundur të mjekohen dot në shtëpi ose ambulatorisht,” thotë shefi i Shërbimit të Pneumo-Ftiziatrisë, Samuel Kristo.

Për t’u mbrojtur nga gripi, mjekët rekomandojnë vaksinimin kundër gripit si dhe zbatimin e një sërë masash për t’u mbrojtur.

“Këshillat janë të njëjtat: duhet gjithmonë distancim, mbajtja e maskës, larja e duarve, mosmarrja pjesë në aktivitete ku ka njerëz të sëmurë me grip. I rëndësishëm është edhe vaksinimi kundër virozave sezonale,” shton Dr. Kristo.

Më të rrezikuar nga gripi ngelen fëmijët e vegjël dhe të moshuarit, shtatzanat dhe njerëzit me sistem imunitar të dobësuar, si dhe personat me sëmundje kronike të zemrës, mushkërive apo diabet.

Gazetare: G. Manushi

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›