E Diel, 1 Nëntor 2026

Situata në Shqipëri, të hënën debati në Luksemburg

TIRANE- Nga BE-ja vazhdojnë të vijnë thirrje për dialog mes dy partive kryesore. Shqipëria do të jetë sërish në vëmendje të ndërkombëtarëve në fillim të javësh së ardhshme. Ministri i jashtëm hungarez Janosh Martony paralajmëroi se të hënën më 20 qershor ministrat e jashtëm të BE-së do të diskutojnë mes të tjerash dhe për situatën në Shqipëri. Deklarata e ministrit Martony është bërë gjatë një debati në komisionin për politikën e jashtme të Parlamentit Europian.

“Do të bëjmë një vërejtje në mënyrë miqësore se situata duhet të ndryshojë në Shqipëri“, ka thënë Martony, duke folur se çfarë pritet nga ai takim. Shefi i diplomacisë hungareze, vendi i të cilit kryeson Bashkimin Evropian deri në fund të këtij muaji, ka folur në këtë seancë në Parlamentin Evropian për procesin e zgjerimit dhe Ballkanin Perëndimor.

Ministri hungarez është ndalur tek Kroacia, e cila pritet së shpejti të përmbyllë negociatat e anëtarësimit. Ai ka thënë se suksesi i Kroacisë është një sinjal edhe për vendet e tjera të rajonit dhe kjo do t’i shtyjë ato të riforcojnë përpjekjet e tyre.

Shefi i diplomacisë hungareze ka paralajmëruar se gjatë këtij viti priten suksese dhe në rastin e Serbisë, Malit të Zi e ndoshta edhe Maqedonisë. Ndërsa ka përmendur si raste problematike Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën.
(s.g/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›