Situata në qarkun Gjirokastër, ulet niveli i Vjosës. Akset Gjirokastër–Tepelenë dhe Përmet–Dogana e Tre Urave të kalueshme me një sens

Reshjet e shiut kanë vijuar gjatë gjithë natës në territorin e qarkut Gjirokastër dhe aktualisht situata mbetet nën monitorim të vazhdueshëm nga strukturat përkatëse.
Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, aksi rrugor Gjirokastër–Tepelenë vazhdon të jetë i qarkullueshëm me një kalim pranë zonës së Shkallës së Zezë, ku kontraktori është i pranishëm gjatë gjithë kohës dhe po punon për largimin e dherave.
Ndërkohë, aksi Përmet–Dogana e Tre Urave është i qarkullueshëm me një sens, në hyrje të fshatit Petran, ndërsa Policia Rrugore ndodhet në vendngjarje për menaxhimin e trafikut.
Edhe gjatë ditës së sotme do të vijojë puna në të gjitha bashkitë e qarkut për normalizimin e problematikave në qendrat urbane, si dhe për hapjen e segmenteve të bllokuara në rrugët rurale.
Gjithashtu OSHEE informon se aktualisht mungon energjia elektrike në njësinë administrative Kurvelesh, bashkia Tepelenë, si dhe në Ballaban, bashkia Këlcyrë, ku po punohet për rikthimin e furnizimit.
Sa i përket situatës hidrike, niveli i lumit Vjosë, në pikë-matjen e Memaliajt, raportohet të jetë nën kuotën 3.7 metra.
Strukturat përgjegjëse mbeten në kontakt të vazhdueshëm dhe në gatishmëri për përballimin e çdo situate të mundshme.
/rtsh.al/