Situata në veriun e Mitrovicës, Alibeaj: Dialogu Kosovë-Serbi, rruga më e mirë e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve

Partia Demokratike ka ndekur me vëmendje dhe shqetësim situatën në veriun e Mitrovicës. Në një reagim në Facebook Kreu i Grupi Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj shprehet se PD mbështet hapat e ndërmarra nga institucionet e Kosovës për zbatimin e regjimit të reciprocitetit me Serbinë, ndërsa konsideron si provokative dhe luftënxitëse deklaratat e zyrtarëve të lartë të Federatës Ruse.
Në reagim ai shkruan se PD mbështet dialogun Kosovë-Serbi si rruga më e mirë e zgjidhjes paqësore e mosmarrëveshjeve reciproke.
“Partia Demokratike mbështet hapat e ndërmarra nga institucionet e Kosovës për zbatimin e regjimit të reciprocitetit me Serbinë. Në të njëjtën kohë përshëndesim bashkërendimin e plotë të institucioneve të Kosovës me partnerët strategjikë dhe KFOR-in.
Partia Demokratike e konsideron si provokative dhe luftënxitëse deklaratat e zyrtarëve të lartë të Federatës Ruse.
Federata Ruse duhet të ndalë deklaratat dhe qëndrimet konfliktnxitëse në një rajon që e ka të përcaktuar qartë orientimin euroatlantik. Federata Ruse nuk ka asnjë lidhje me Kosovën, një vend i cili është përcaktuar qartë strategjikisht në aleancë me demokracitë euroatlantike.
Partia Demokratike u kërkon qytetarëve të Kosovës që me besim të mbeshtesin vullnetin e institucioneve të Republikës së Kosovës në konsolidimin e shtetësisë dhe të pavarësisë.
Ne mbeshtesim dialogun Kosovë-Serbi si rruga më e mirë e zgjidhjes paqësore e mosmarrveshjeve reciproke.
Partia Demokratike fton Serbinë dhe lidershipin e saj të kuptojnë se procesi i njohjes reciproke Serbi – Kosovë është kontributi i tyre real për një Ballkan në paqe dhe të integruar në familjen europiane“, shkruan Alibeaj.
/rtsh.al/