Situata nga zjarret- 9 vatra aktive, problematike situata në Dukat të Vlorës. Parku i Lurës ende nën flakë

Situata me zjarret në vend vijon të jetë problematike, teksa Ministria e Mbrojtjes bën me dije se 9 vatra janë ende aktive.
Në Dibër, në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë, zjarri prej disa ditësh, duke djegur sipërfaqe të konsiderueshme, teksa po zhvillohet në dy vatra të shkëputura nga njëra-tjetra, vatra poshtë Liqenit të Zi dhe mbi fshatin Gurë-Lurë.
Në Vlorë, në vendin e quajtur “Qafa e Shëngjergjit”, mbi fshatin Dukat, zjarri vijon prej 16 ditësh dhe ende mbetet shumë intensiv. Flakët, të ndihmuara nga era ditën e sotme, përfshinë edhe kurorë të pishës duke e bërë problematike gjendjen. Ditën e sotme vazhdon operacioni me forcat operacionale, të ndihmuar me 30 forca ushtarake, 1 helikopter të FA-së dhe 2 avionë Canadair.
Edhe në Lezhë situata duke problematike, ku zjarri i rënë në zonën e Shkopetit, është përhapur edhe në territorin e bashkive Kurbin, Mat dhe Mirditë. Në operacionin për fikjen e zjarrit janë angazhuar forca ushtarake Ndërhyrja ajrore ka shmangur përhapjen drejt banesave dhe bizneseve në Shkopet. Terreni është i vështirë dhe i paarritshëm për mjete. Situata po monitorohet nga autoritetet dhe strukturat përkatëse. Nuk ka rrezik për objektet e banimit.
Në fshatin Strikçan, njësia administrative Zerqan, bashkia Bulqizë. Është në monitorim zjarri në një sipërfaqe me shkurre, ferra dhe bar i thatë. Në fshatin Zall Gjoçaj, njësia administrative Derjan, bashkia Mat, ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në vendin e quajtur “Përroi i Zi” një sipërfaqe pyjore me pisha dhe ah. Ditën e sotme në terren janë angazhuar forcat operacionale dhe 30 efektivë nga FA. Në ndihmë për shuarjen e zjarrit po operon 1 avion Canadair nga shteti Italian.
Në fshatin Shmil në Elbasan, zjarri ka rënë në pyll gështenje dhe ka përmasa të konsiderueshme. Puna po vijon në një terren të vështirë.
Në fshatin Vernik të Korçës zjarri vijon të jetë aktiv, por në drejtim të pikës kufitare Kapshticë zjarri u vu nën kontroll dhe po vijon puna në krahun e fshatit, pasi zjarri po përhapet në bimësi.
Në fshatin Kosinë të Gjirokastrës, vijon puna në terren të vështirë për shuarjen e zjarrit.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 21 automjete zjarrfikëse për momentin dhe 519 forca operacionale. Gjithashtu në operacionet e ditës së sotme marrin pjesë 190 forca nga FA me 19 mjete dhe 1 Helikopter, 2 avionë Canadair nga shteti Grek dhe 1 avionë Canadair nga shteti Italian.
/rtsh.al/