E Shtunë, 31 Tetor 2026

Situatë e qetë në Maqedoni, tensione në Radishan

Në lagjen Radishan të Shkupit situata vazhdon të jetë e tensionuar, pas vrasjes së pesëfishtë natën e së enjtes në fshatin e afërt Smilkovc.
 

Në rrugët e kësaj lagjeje që është pjesë e komunës Butel vazhdojnë të qëndrojnë barrikada të improvizuara, por rrugët janë të kalueshme. Njësitet speciale vazhdojnë të mbajnë të bllokuara të gjitha rrugët që çojnë tek vendi i krimit.
Situatë e tensionuar mbrëmë është regjistruar në pjesët tjera periferike në Shkup. Në lagjen Draçevë nga ora 23.00 ishte bllokuar rruga për dy orë nga ana e grupeve të të rinjve maqedonas, të cilët theksuan se ishin solidarizuar me kërkesat e bashkëqytetarëve të tyre të Radishanit për zbardhjen e shpejt të vrasjes.
 

Me intervenimin e njësiteve speciale barrikada u tërhoq mbrëmë pas mesnate, pasi që qindra banorë të fshatrave të komunës së Studeniçanit kishin mbetur të bllokuar dhe nuk ktheheshin dot në shtëpitë e tyre.
Mësohet se një incident me rrahje fizike është regjistruar edhe në lagjen Hasanbeg, por MPB nuk ka dhënë detaje mbi ngjarjen.
 

Komuna e Butelit sot ka shpallur ditë zie, ndërsa ka nisur edhe ceremonia e varrimit të pesë viktimave.
MPB ka bërë të ditur se po vijon hetimet intensive për të zbardhur vrasjen e pesëfishtë, duke nënvizuar se ka marrë në pyetje mbi 30 persona. Deri tani nuk janë hollësi për motivet e këtij akti, edhe pse nëpër rrjetet sociale në internet kanë qarkulluar spekulime të ndryshme, duke drejtuar akuza dhe fajësuar shqiptarët.
 

Autoritetet politike vendore dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë në Shkup kanë bërë thirrje për qetësi dhe përmbajtje, deri në hetimin e plotë të ngjarjes dhe shmangien e spekulimeve dhe akuzave të pabazuara mbi ngjarjen.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›