E Shtunë, 31 Tetor 2026

Situatë e tensionuar në Gaza, mbi 270 të vrarë

Gaza- Më tepër se 270 palestinezë janë vrarë dhe 620 të tjerë janë plagosur në sulmet ajrore vdekjeprurëse të filluara të shtunën nga Izraeli kundër Hamasit në Gaza, mësohet sot pranë shërbimeve të urgjencës në këtë territor.

"Numërojmë 271 të vrarë dhe 620 të plagosur që nga dita e djeshme, gjashtë prej të cilëve sot gjatë sulmeve të fundit", i deklaroi AFP-së, Mouawiya Hassanein, shef i shërbimeve të urgjencës në Gaza.

Sulmet po vazhdojnë edhe sot ku u shkatërrua një xhami në Gaza dhe u vranë dy vetë. Sipas zyrtarëve izraelitë xhamia po përdorej si bazë për sulme terroriste. Për shkak të tensionimit të situatës, presidenti i aturitetit palestinez Abu Mazen, ka mbërritur sot me urgjencë për një vizitë në Egjipt, ku do t’i bëjë të ditur presidentit egjiptian Hosni Mubarak, mbi sulmet e fundit izrailite.

Anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së u takuan dje në Nju Jork për të diskutuar situatën e krijuar. Shtetet e Bashkuara po fajësojnë grupin militant Hamas për thyerjen e armpushimit dhe për sulmet ndaj Izraelit. Ata bënë thirrje për rivendosjen e armpushimit dhe kërkuan nga Izraeli të shmangë viktimat civile. Edhe në botën arabe ka pasur dje reagime të forta. Bashkësia ndërkombëtare kërkoi rivendosjen e menjëhershme të qetësisë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›