E Diel, 1 Nëntor 2026

Situatë kaotike në juglindje, Prefektura e Korçës: Mjetet e rënda dhe autobusët s’lejohen as në Maliq-Lozhan-Moglicë!

Prej mesditës së sotme, qarkullimi në aksin rrugor Librazhd–Pogradec është i bllokuar plotësisht deri në një njoftim të dytë, si pasojë e rrëshqitjes masive të dherave dhe çarjes së thellë në trupin e rrugës.

Shërbimet e Policisë Rrugore janë vendosur në pikat kryesore të aksit, duke përfshirë Kryqëzimin Qafë Thanë, Kryqëzimin Qafë Plloçë dhe Kryqëzimin e Maliqit, për të orientuar drejtuesit e mjeteve.

Prefektura e qarkut të Korçës njofton se qarkullimi për mjetet deri në 3.5 ton do të devijohet në aksin Maliq – Lozhan – Moglicë – Gramsh, në drejtim të Tiranës dhe anasjelltas.

Ndërsa mjetet e tonazhit të rëndë dhe autobusët nuk lejohen të kalojnë këtë segment. Vetëm ambulancat, shërbimet zjarrfikëse dhe mjetet e Policisë do të lejohen në qarkullim.

Strukturat e Policisë janë në terren për monitorimin e situatës dhe orientimin e qytetarëve.

Prefektura apelon që të gjithë drejtuesit e mjeteve të respektojnë udhëzimet e strukturave përgjegjëse për të shmangur radhët kilometrike dhe aksidentet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›