Sivjet, pyjet do të mbrohen nga zjarret

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, këtë vit ka nisur më herët përgatitjet për mbrojtjen e pyjeve nga zjarret. Në tërë Kosovën do të angazhohen rreth 100 punëtorë, të cilët do të jenë në gjendje gatishmërie 24 orë për të intervenuar në shuarjen e zjarreve aty ku paraqitet nevoja. Kjo gatishmëri erdhi pasi që çdo vit në vendin tonë dëmtohem me mijëra hektarë pyje nga zjarret.
Gjatë vitit 2013, Agjencia Pyjore e Kosovës do të mobilizohet me të gjitha forcat për parandalimin e shkatërrimit të pyjeve nga zjarret. Zyrtarë të kësaj agjencie, i thanë Radio Kosovës se investimet e institucioneve vendore në mbrojtjen e resurseve pyjore dhe në prodhimtarinë e fidanëve sivjet do të jenë edhe më të mëdha.
Kryeshefi Ekzekutiv i APK, Ahmet Zejnullahu, potencon se Ministria e Bujqësisë, ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, për realizimin e dy projekteve.
“Ne, tashmë, e kemi nënshkruar marrëveshjen dhe do të jenë të angazhuar 90 punëtorë. Ata do të jenë të shpërndarë nëpër të gjitha regjionet e Kosovës dhe do të jenë të pajisur për intervenime të nevojshme në vendet ku paraqiten zjarret pyjore”, tha Zjenullahu.
Zejnullahu potencon se kjo marrëveshje, përveç punësimit të 90 personave në mbrojtjen e pyjeve, do të punësohen edhe 20 të tjerë, për nëntë muaj, në prodhimin e fidanëve, të cilët do të përzgjidhen nga qendrat komunale të punësimit:
“Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale do të bëjë sigurimin e punëtorëve nëpër entet e punësimeve nëpër komuna. Gjithsesi do të bëjë edhe pagesën ku pagesa do te jetë 220 euro për punëtor”.
Për implementimin e projektit për prodhimin e fidanëve, që fillon nga 1 marsi dhe do të zgjasë deri me 1 dhjetor të këtij viti, janë ndarë 39 mijë e 600 euro.
Ndërsa, projekti për mbrojtjen e pyjeve nga zjarret, fillon nga 1 korriku dhe do të zgjasë deri me 31 tetor, vlera e të cilit është 79 mijë e 200 euro.
Ndryshe, vitin e kaluar, dëmtimi i resurseve pyjore të shkatërruara nga zjarri ka qenë shumë i madh. Sipas të dhënave nga Agjencia Pyjore e Kosovës, gjatë viti 2012 janë djegur mbi 3 mijë e 500 hektarë me pyje. /Indeksonline/