Sjellja e Jeremiç,BE notë proteste Serbisë

Bashkimi Evropian po përgatit një notë proteste ndaj Beogradit zyrtar, për shkak të sjelljeve jo korrekte të ministrit të Jashtëm serb Vuk Jeremiç, ndaj shefit të Zyrës së BE-së në Beograd, Peter Sorensen. Në media është raportuar se edhe ndalimi i hyrjes për të ashtuquajturin ministër serb për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviç, në Kosovë, të ketë qenë një lloj hakmarrjeje ndaj Jeremiçit. Përmbajtja e kësaj note do të formësohet gjatë ditëve në vijim, ndërsa ajo do t'i dorëzohet shefit të misionit të Serbisë në BE, në Bruksel, ose direkt në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë në Beograd, bën të ditur gazeta Dnevnik, cituar burime diplomatike. Në ndërkohë, drejtori i përgjithshëm për politikë të jashtme dhe siguri i BE-së, bashkëpunëtori më i ngushtë i përfaqësuesit të lartë Javier Solana, Robert Cooper e ka informuar të premten mbrëma Komitetin për Politikë dhe Siguri në Bruksel për incidentin, ku rolin kryesor e kishte ministri serb Jeremç. Disa shtete të BE-së, sipas kësaj gazete, kanë reaguar ashpër sapo janë informuar rreth këtij rasti, ndërsa pjesa më e madhe e tyre ka shfaqur brengën për këtë rast. Kështu, konstaton kjo gazetë, mund të ndodhë që të hënën, në Bruksel, shefat e diplomacive të BE-së të arrijnë një qëndrim më të definuar ndaj këtij rasti.
Jeremiç e ka nënçmuar shefin e Zyrës së BE-së në Beograd - i cili i raporton direkt Solanën - në mënyrë arrogante dhe të pasjellshme, duke mos e lejuar atë të fliste gjatë takimit, ku ishte prezent edhe shefi i UNMIK-ut Lamberto Zannier. Madje, thuhet se Jeremiç edhe gjatë pjesës së mbetur të takimit, në mënyrë të dukshme e kishte injoruar Sorensenin.
Arsyet e sjelljes së tillë të Jeremiçit, interpretohen si përpjekje e Beogradit zyrtar që të demonstrojë se, rreth Kosovës do të bisedojë vetëm me përfaqësuesit e OKB-së. Megjithatë, konstaton kjo gazetë, pesha e incidentit është edhe më e madhe, sepse BE-ja e ka plotësuar kërkesën e Serbisë që në Beograd të mos hapet zyra për bashkëpunim me EULEX-in, por një zyre, që ndër të tjera do të kishte të bënte edhe me EULEX-in.
Sjellja e ministrit serb për zyrtarët e BE-së duket e pafalshme dhe e kundërt me premtimin e Beogradit se, "do të sillet në mënyrë konstruktive rreth vendosjes së misionit EULEX'. telegrafi/start
Sidoqoftë, në media është raportuar se edhe ndalimi i hyrjes për të ashtuquajturin ministër serb për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq, në Kosovë, ka ardhur nga BE-ja, e cila ka inkurajuar institucionet e Kosovës të veprojnë asisoj. Ky thuhet të jetë një lloj hakmarrjeje ndaj veprimit të Jeremiqit.