E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandal në Parkun Apolonia, taksë dyfish për vizitorët

TIRANË- Të vizitosh Apoloninë kushton shumë. Për të hyrë brenda parkut antik duhet të paguash dy herë taksë. Mësohet se vizitorët paguajnë 200 lekë te punonjësi i Komunës, ndërkohë që 300 lekë të tjera i paguajnë te punonjësi i shërbimit i Parkut të Apolonisë. 

Vjelja e taksës së dyfishtë ka përfshirë në konflikt kryetarin e Komunës Dermenas, Viktor Fasko me drejtorin e Parkut Arkeologjik Apolonia, Marin Haxhimihali. Kryekomunari dhe kreu i këtij parku argumentojnë se kanë të drejtë në vjeljen e taksës, ndërsa Prefektura e Fierit hesht ndaj këtij skandali. Nisur nga situata e krijuar, drejtori i Parkut antik të Apolonisë ka kërkuar ndihmën e institucionit të Prefektit për zgjidhje të situatës. 

I pyetur rreth këtij problemi që ka dy javë që ka lindur, drejtori i Parkut Arkeologjik, Marin Haxhimihali pohon për Gazetën se kjo është një taksë e miratuar nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve. "Me të ardhurat e grumbulluara nga këto taksa, por edhe buxheti i ministrisë ne paguajmë punëtorët si dhe kryejmë investime apo punime të ndryshme në këtë park arkeologjik",- thotë Haxhimihali. 

Sipas tij, taksa që vilet është e ligjëruar. Ndërkohë, Marin Haxhimihali shprehet se ka kërkuar prej prefektit të qarkut Fier, Robert Bitri, që ta shikojë këtë veprim të kryekomunarit Viktor Fakso. Sipas tij, nuk mund të vilet taksë e dyfishtë për vizitorët. "Prefekti Bitri ka dhjetë ditë që është vënë në dijeni të këtij problemi dhe ende nuk ka një përgjigje zyrtare prej tij",- deklaron kreu i Parkut Arkeologjik të Apolonisë.
(el.me/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›