E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandali me celularin e katërt, qeveria jep licencën pa tender para zgjedhjeve

Zgjedhja e njëanshme, tenderi nuk bëhet nga e para sipas ligjit. Në mungesë të konkurrentëve, licenca iu dha PTK-së për 7.2 milionë euro

Ervin KOÇI

Megjithëse tenderi për licencën e celularit të katërt u konsiderua zyrtarisht i dështuar vetëm dy muaj më parë, qeveria kërkon të miratojë medoemos fituesin, duke shkelur hapur ligjet në fuqi. Skandali është shënuar kur vendimi më i fundit i qeverisë shkeli ligjin e prokurimeve, duke bërë kështu favorizim në garën për të fituar licencën. Qeveria e argumenton këtë shkelje në relacionin shoqërues për Parlamentin me motivacionin se “një vonesë në licencimin e operatorit të katërt do të shkaktonte humbje në ekonomi, pasi edhe pas licencimit të operatorit të tretë, çmimet mbeten ende të larta”. Tenderi i parë për operatorin e katërt GSM u zhvillua nga Enti Rregullator i Telefonisë dhe po nga ky ent u anulua për mungesë dokumentacioni. Sipas këtij institucioni, “asnjë nga firmat që synuan operatorin e katërt në vend nuk plotësonin kriteret e vendosura”. Por pavarësisht shpalljes së pavlefshëm të tenderit, Këshilli i Ministrave vendosi që licenca t’i jepet pa tender Postë Telekomunikacionit të Kosovës nën siglën “PTK”, që përfaqëson konsorciumin prej 6 kompanish, një prej të cilave person fizik. Ato janë: “Union Grup”, “Infosoft”, “Albania Drink Distribution”, “ACi Engineering sh.p.k.” dhe biznesmeni Saimir Mane (person fizik). Bashkimi i këtyre kompanive ofroi 7.2 milionë euro për licencën e telefonisë së katërt celulare në Shqipëri. Sipas të dhënave, vendimi i Këshillit të Ministrave ka mbërritur në Kuvend ku dhe pritet të kalojë në komisionet përkatëse e më pas në seancën plenare për miratim.

Vjedhja e kompetencave

Me këtë vendim qeveria i ka “grabitur” kompetencat Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, i cili ka të drejtën e kryerjes së tenderit dhe shpalljes së fituesit. Drejtori i këtij institucioni, Ilir Shehu, i kontaktuar në telefon nga mediat shprehet se, “tenderi është anuluar dhe është e nevojshme të kryhet një garë nga e para”. Por qeveria kërkon votat në Parlament duke miratuar kontratën me shpejtësi brenda këtij sesioni parlamentar, edhe pse koha e mbetur nuk garanton respektimin e të gjitha afateve për shqyrtim dhe miratim në Kuvend. Arsyeja e këtij nxitimi shpjegohet me faktin se në përbërje të konsociumit të prezantuar nga Postë Telekomunikacioni i Kosovës, janë njerëz të afërt të kryeministrit Berisha. Në relacionin bashkëngjitur projektligjit, qeveria pranon se mungesa e konkurrencës në garë e bën këtë proces të pavlefshëm, por pavarësisht kësaj, ajo ka evidentuar disa arsye pse oferta duhet të merret në konsideratë nga Kuvendi. Qeveria argumenton se “oferta prej 7.2 milionë eurosh, që konsorciumi nga Kosova ka dhënë, është çmimi më i lartë si dhe tarifat celulare që do të ofrojë kjo kompani janë të leverdishme për konsumatorin”. Më 20 shkurt, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare hapi tenderin për licencën e celularit të katërt. Në garë morën pjesë dy kompani me kapital shqiptar. “Univers PG” ishte kompania nga Durrësi, e cila u skualifikua nga gara për mungesë dokumentacioni.

Vendimi i njëanshëm
Qeveria shpalli fitues bashkimin e ofertuesve përfaqësuar nga PTK-ja, edhe pse kjo ishte e vetmja kompani në një tender, i cili në fakt dështoi. Ky dështim provohet në relacionin që i bashkëngjitet projektligjit të miratuar më 1 prill 2009 në qeveri. Në relacion theksohet: “Edhe pse pati shumë interes nga kompani të ndryshme për tenderin e licencimit të operatorit të katërt, ditën e tenderit u paraqitën vetëm 2 bashkime ofertuesish, PTK me 4 kompanitë shqiptare si dhe ‘Universal PG’. Oferta e shpallur nga ‘Universal PG’ u shpall direkt e pavlefshme pasi nuk plotësoi kushtet për dokumentacionin standard sipas ERT-së”. Në këtë rast oferta e PTK-së me 7.2 milionë euro, edhe pse rezultoi më ekonomike, nuk mund të shpallej fituese pasi sipas procedurave të prokurimit publik dhe rregullave të prokurimit përcaktohet se “një garë është e suksesshme kur numri i ofertave konkurruese duhet të jetë më shumë se numri i frekuencave”. Kjo do të thotë se numri i garuesve duhet të ishte domosdoshmërisht 2 kompani. Në bazë të kësaj ERT-ja duhet të shpallte një datë tjetër për konkurrimin. Por, në rastin konkret, qeveria ka gjetur një tjetër rrugë për të legjitimuar këtë shkelje, atë të dhënies pa tender duke futur në rol Parlamentin për dhënien në përdorim të frekuencës vetëm për 15 vjet bashkimit të ofertuesve përfaqësuar nga PTK-ja dhe paraqitjen e kësaj zgjidhje në Kuvend për miratim. Relacioni madje tregon edhe arsyen pse qeveria ka vendosur t’ia kalojë për miratim Kuvendit që në thelb është heqje përgjegjësie nga Ekzekutivi dhe shpërndarja e tij midis deputetëve të Parlamentit shqiptar.

Tenderi që u shpall i pavlefshëm

Dhënia e licencës për operatorin e katërt celular ka mëse një vit që diskutohet nga shtypi. Mësohet se tenderi i parë është zhvilluar më 4 mars të këtij viti. Tenderi për dhënien e licencës për operatorin e katërt celular dështoi pasi Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka njoftuar se “Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka skualifikuar njërën nga kompanitë”. Në garë ishin dy shoqëri, shqiptarja “Univers PG” dhe kompania kosovare “PTK”. Kompania shqiptare “Univers PG” nuk ka plotësuar kërkesat për kualifikim, të përcaktuara në dokumentin e tenderit. Në kushtet e mungesës së konkurrencës, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka ndërprerë procedurën e tenderit. AKEP-i vendosi që hapat e mëtejshëm të ndërmerren pas përfundimit të afatit të ankimit nga kompanitë në fjalë. Ofertat e kompanive u hapën më 20 shkurt. Kompania shqiptare “Univers PG” ofroi 5 milionë euro, e cila është edhe shuma minimale që kërkohej nga Komisioni për lëshimin e licencës. Ndërsa kompania “PTK”, ofroi 7.2 milionë euro. Në fakt ky tender ishte parashikuar të zhvillohej më 23 janar, por bordi drejtues i AKEP-it mori vendimin për shtyrjen e tij për gati një muaj. Sipas kritereve të përcaktuara më parë, vlerësimi në këtë tender do të kryhej në bazë të pikëve. Kriteri që ka më shumë pikë është pikërisht tarifa e shportës së shërbimeve, ose e thënë ndryshe tarifat e bisedave telefonike. Pra kompania që do të ofrojë çmimet më të ulëta do të fitojë plot 45 pikë. Ndryshe në garë për operatorin e katërt mobil në Shqipëri ishin “Univers PG”, kompani shqiptare me partnere kompaninë afrikane “Telmar”, e cila ofroi 5 milionë euro, kompania e dytë ishte “PTK”-ja, me partnere “ACI”, që ofroi 7.2 milionë euro, kompania e tretë ishte suedezja “Tele 2”, e cila nuk bëri ofertë, por thjesht paraqiti planin e biznesit të saj.

20 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›