E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përllogaritja, tabela e re e pensioneve sipas të gjitha kategorive

Skema e rritjes përfshin përfituesit e pensionit familjar dhe të invaliditetit. Sa do të shkojnë pensionet maksimale dhe minimale në qytet dhe në fshat

Fill pas deklaratës së bërë nga kreu i qeverisë, specialistët e ISSH-së kanë bërë llogaritjet paraprake se sa do të rriten konkretisht pensionet nga shtesa e re. Sipas tyre, në rritjen e re të pensioneve parashikohet që të përfshihen jo vetëm pensionistët që marrin pension pleqërie, por edhe përfituesit e pensionit familjar dhe invaliditetit, si në qytet ashtu dhe në fshat. Rritja e pensioneve që do të zbatohet në muajin maj, parashikohet që t’i shtojë mesatarisht 1 mijë lekë çdo përfituesi të pagesës së pleqërisë. Rreth 800 mijë familje në të gjithë vendin parashikohet që të përfitojnë nga shtesa e re e pensioneve. Ndonëse publikisht kreu i qeverisë, Sali Berisha po trumbeton pothuajse çdo ditë për rritjen e pagesës së pleqërisë, ende deklarata e kryeministrit nuk ka marrë formën e vendimit nga Këshilli i Ministrave. Fill pas marrjes së këtij vendimi, specialistët e Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH) në Tiranë, do të nisin përllogaritjen konkrete të rritjes së pensioneve sipas kategorive.
Pensionet në qytet
Sipas skemës së re të rritjes, pensioni i plotë minimal i qytetit do të rritet 10 për qind, ose në masën 951 lekë në muaj, duke përfshirë këtu edhe kompensimet kjo masë pritet të arrijë në nivelin 12 226 lekë. Në të njëjtën përqindje do të rriten edhe pensionet e plota maksimale të qytetit. Por, këta pensionistë që marrin këtë lloj pensioni do të përfitojnë një rritje akoma edhe më të madhe, pavarësisht se përqindja është e njëjtë. Kështu, sipas llogaritjeve paraprake, një pensionist që trajtohet me pension maksimal qyteti do të marrë një shtesë prej 1900 lekësh në muaj dhe si pasojë të ardhurat mujore kapin nivelin e 21433 lekësh. Ndërkohë, ashtu siç është vepruar edhe gjatë viteve të kaluara, pritet që kjo rritje të mos cenojë kompensimet e ndryshme që përfitojnë pensionistët. Specialistët e ISSH-së sqarojnë se të gjithë pensionistët pa përjashtim, përveç rritjes së re të vitit 2008 do të vazhdojnë të përfitojnë edhe kompensimet e përfituara me vendime të veçanta të qeverisë.
Kategorizimi
Ekspertët e ISSH-së sqarojnë se brenda skemës së rritjes do të ketë disa kategorizime, të cilat do të përcaktohen në varësi të vendimit të qeverisë. Pritet që qeveria ta miratojë këtë vendim në mbledhjen e javës së ardhshme, për ti lënë pak ditë kohë specialistëve të sigurimeve shoqërore që të bëjnë llogaritjet reale të rritjes, në mënyrë që premtimi i qeverisë të realizohet në datën e paracaktuar, që është 1 maj. Premtimi për rritjen e pensioneve në maj është bërë nga kryeministri i vendit Sali Berisha, i cili vazhdimisht ka deklaruar se pensionistët do të përfitojnë një rritje prej 10 për qind për pensionet e qytetit dhe 20 për qind për ata të fshatit. Fill pas deklaratës së bërë nga kreu i qeverisë, specialistët e ISSH-së kanë bërë llogaritjet paraprake se sa do të rriten konkretisht pensionet nga shtesa e re.

J. Tashi

20 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›