Skandali me pikturat, pezullohet drejtori i galerisë së Korçës

Thellohet skandali i zhdukjes së pikturave në galerinë e arteve “Guri Madhi” në Korçë. Pas hetimeve disa ditore nga prokuroria e rrethit, është pezulluar nga detyra detyra drejtori i galerisë së arteve dhe ish Qendrës Kulturore në Korçë, Vladimir Topi.
Pezullimi i Topit ka ardhur nga kryebashkiaku Niko Peleshi, pas masës arrest shtëpie që vendosi gjykata ditën e djeshme. Ai së bashku me ish përgjegjësin e galerisë Sotiraq Xhega u akuzuan për shpërdorim detyre nga ana e gjykatës së Korçës.
Sipas burimeve nga prokuroria e rrethit ata u morën në pyetje si personat që kanë pasur akses në ambientet ku ishin magazinuar krijimtaritë artistike, qeramikat dhe punimet artizanale të rajonit juglindor.
Hetimet për zbardhjen e skandalit të vjedhjes së veprave të artit nga Galeria e arteve "Guri Madhi" në Korçë vijojnë intensivisht në dy pista atë të "vjedhjes" dhe "shpërdorimit të detyrës" ku për këtë të fundit policia disponon prova dhe dëshmi të mjaftueshme, ndërsa është duke hasur vështirësi për të vërtetuar akuzën e "vjedhjes".
Ekspertet kanë verifikuar teknikisht kartelat e pikturave të humbura të piktorit Vangjysh Mio dhe kanë konkluduar se ato i përkasin kategorisë së veprave ta artit. Ndërkohë që pritet një tjetër verifikim nga Ministria e Kulturës.
Hetimi ndaj drejtorit të galerisë Vladimir Topi dhe ish-përgjegjësit Sotiraq Xhega nisi pasi humbjes së rreth 61 veprave nga fondi i pikturave në Galerinë e Arteve Figurative, me vlera të mëdha kulturore, por edhe monetare, të cilat mungojnë nga fondi i galerisë së arteve figurative "Guri Madhi" në Korçë.