Skandali në Onkologjik, Gjykata lë në fuqi masat për mjekët. Gashi del nga dera e pasme

Gjykata ka lënë në fuqi masat e sigurisë për mjekët e spitalit Onkologjik, të cilët po hetohen të akuzuar se dërgonin në spital privat pacientët.
Konkretisht, mjeku Edmond Gashi është lënë me masë sigurie “Arrest shtëpie”, Alketa Ymeri (Pere) mjeke, me masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje”, Emiljano Lela – Koordinator pranë Spitalit Onkologjik ,me masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje”, Brikena Qirjazi, Zv/Drejtoreshe në QSUNT, me masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje”, Drilona Kishta, nën masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje”, Florian Marku, administrator i Flori Farma dhe Halil Gashi.
Pas përfundimit të seancës, mjeku Edmond Gashi u nxor nga dera e pasme e Gjykatës, duke shmangur përballjen me gazetarët.
Skandali në spitalin e Onkologjikut u zbulua nga Prokuroria e Tiranës pas denoncimit të një familjari. Prokuroria ka zbuluar se pacientëve që ishin të sëmurë me tumor këta mjekë nuk i jepnin shërbimin, por i orientonin që të shkonin te klinika private “Megis”, në pronësi të mjekut Edmond Gashi.
Përgjimet e publikuara e thelluan edhe më tej skandalin pasi në komunikimet mes tyre, mjekët nuk tregonin asnjë lloj ndjeshmërie ndaj pacientëve të sëmurë me kancer, por përkundrazi i shihnin si “mjete” për të maksimizuar fitimit e tyre përmes korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës.
/rtsh.al/